Lidhje

Nëndetsja ruse e bllokuar në fund të Oqeanit Paqësor


Komandanti i Flotës së Paqësorit të Rusisë, admirali Viktor Fjodorov tha se një anije shpëtimi është lidhur me kabllo me një nëndetëse të vogël të bllokuar në fund të oqeanit Paqësor dhe do të përpiqet ta tërheqë atë në ujërat e cekëta.

Admirali Fjodorov tha se anija ruse e shpëtimit do të përpiqet gjithashtu ta ngrejë nëndetësen me ekujpash prej 7 anëtarësh. Admirali tha se anija ka ajër të mjaftueshëm për detarët që të mbijetojnë deri të hënën. Këto komente të admiralit Fjodorov bien ndesh me deklaratat e mëparshme të zyrtarëve të marinës ruse, të cilët thanë se nëndetësja kishte vetëm 24 orë ajër.

Nëndetësja është bllokuar gati 200 metra poshtë në gadishullin e Kamçatkës në lindjen e largët të Rusisë. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Britania po dërgojnë pajisje emergjente në vendin e aksidentit. Zyrtarët rus thanë se nëndetja me mision vëzhgimi u bllokua dje nga një rrjetë peshkimi në fund të detit.

Drama e fundit të detit të kujton fatin e nëndetëses bërthamore ruse Kursk, që u fundos në Detin e Barensit pas një shpërthimi pesë vjet më parë. Të 118 anëtarët e ekuipazhit gjetën vdekjen. Presidenti rus Vladimir Putin u kritikua që nuk kërkoi menjëherë ndihmë ndërkombëtare pas aksidentit në gusht të vitit 2000.

XS
SM
MD
LG