Lidhje

40 vjet nga miratimi i Aktit që i dha të drejtën popullsisë zezake të votonte


Para 40 vjetësh, më 6 gusht 1965, presidenti Lyndon Johnson nënshkroi Aktin për të Drejtën e Votës, një ligj i miratuar nga Kongresi për t’i siguruar çdo amerikani të drejtën për të votuar. Kjo masë synonte ndryshime sidomos në pjesën juglindore të Shtetet e Bashkuara, ku supremacistët e bardhë mbizotëronin organet lokale dhe nuk lejonin popullsinë zezake të votonte.

Një të diel, me 25 mars të vitit 1965, rreth 600 punonjës të të drejtave civile filluan një marshim të gjatë nga Selma të Alabamës deri në kryeqyetin Montgomery të këtij shteti. Ata marshuan në mënyrë paqësore në emër të të gjithë afrikano-amerikanëve në Alabama dhe në pjesën tjetër jugore të Shteteve të Bashkuara, të cilët në atë kohë nuk gëzonin të drejtën e votës. Marshuesit u ndeshën me forcat policore, të cilët i urdhëruan ata thë ktheheshin. Kur marshuesit u gjunjëzuan dhe filluan të luteshin, policia filloi t’i rrihte me kamzhikë, shkopinj dhe të hidhte gaz lotsjellës. Kjo skenë u regjistrua nga gazetarë dhe u transmetua në emisionet e lajmeve të telivizoneve kombëtare. E ashtëquajtura “e diel e përgjakshme” kur ndodhi sulmi kundër marshuesve paqësorë tmerroi shumicën e amerikanëve dhe nxiti ligjvënësit në Washington të hartonin një ligj federal që do të garantonte të drejtën e votës për çdo amerikan, dhe veçanërisht zezakët që jetonin në jugun ku praktikohej ndarja racore.

Julie Fernandes është analiste e lartë politike për Konferencën e Udhëheqjes mbi të Drejtat Civile, kolaicion i organizatave kryesore për të drejtat civile:

“Kur ndodhi 'e diela e përgjakshme' dhe veprimtarët e rinj për të drejtat civile u rrahën nga policia në Alabama ndërsa marshonin për të drejtën e votës, dhe kjo u transmetua në televizion, presidenti Johnson tha “mjaft”. Dhe pastaj dha deklaratën e tij të famshme para kongresit, ku përdori fjalë nga hymni i të drejtave civile.”

“Ajo që ndodhi në Selma është pjesë e një lëvizjeje më të gjerë që arrin në çdo anë dhe shtet të Amerikës. Është përpjekja e zezakëve të Amerikës për të jetuar jetën amerikane. Kauza e tyre duhet të jetë kauza jonë, sepse jo vetëm ata, por edhe ne duhet të lëmë pas trashëgiminë e padrejtësive. Dhe ne do t’ia dalim”, tha presidenti Johnson.

Ligji për të Drejtën e Votës i vitit 1965 solli në fuqi amendamentin e 15-të të Kushtetutës Amerikane, i cili thotë se askujt nuk mund t’i mohohet e drejta e votës për shkak të racës ose ngjyrës. Ky amendament u miratua nga kongresi në vitin 1970.

Ligji për të Drejtën e Votës i vitit 1965 nxori jashtë ligjit pengesat për të votuar dhe lejoi individët që viktimizoheshin të ngrenin padi ndaj qeverive lokale dhe shtetërore. Ai autorizoi gjithashtu zyrtarët federalë të mbikqyrnin me kujdes zgjedhjet në vendet ku dihej se kishte pasur diskriminim racial.

Ligji për të Drejtën e Votës është vlerësuar si një nga ligjet më efikase të Kongresit. Para 40 vjetësh 300 afrikano-amerikanë kandiduan në të gjithë vendin. Sot, më shumë se 9 mijë burra dhe gra afrikano-amerikane kanë poste në të gjitha nivelet qeveritare, duke përfshirë 40 vende në Kongresin amerikan. Kritikët thonë se pas 40 vitesh ky ligj ka qenë kaq efikas sa rastet e diskriminimit racial në jug dhe kudo tjetër janë të rralla. Ndërsa kritikë të tjerë thonë se ligji nganjëherë ka të meta, sepse bën që disa zgjedhje të mbahen gjithnjë kryesisht në zonat minoritare, duke i dhënë kandidatit minoritar një avantazh të padrejtë. Dhe kjo nuk do të thotë që ky është gjithmonë përfaqësimi më i mirë i mundshëm për minoritetet, thotë Tod Gaziano, drejtor në qendrën për studime ligjore dhe juridike në Fondacionin Heritage në Washington DC.

Ligji për të Drejtën e Votës i vitit 1965 është rishikuar dhe re-miratuar nga Kongresi disa herë që nga viti 1970, dhe do të hidhet përsëri për miratim në vitin 2007.

XS
SM
MD
LG