Lidhje

60 vjet pas Hiroshimës


Sot Japonia përkujton 60 vjetorin e hedhjes së bombës bërthamore në Hiroshimë – hera e parë që një bombë e tillë përdorej në luftë. Sulmi ajror amerikan i ndjekur tri ditë më pas nga një tjetër bombë me plutonium të hedhur mbi Nagasaki, i bëri japonezët të kapitullonin dhe i dha fund Luftës së Dytë Botërore. Për Japoninë, viktima e vetme e luftës bërthamore, sulmet lanë një plagë në psikologjinë e kombit, duke krijuar atë që shumë e njerëz e quajnë “alergji bërthamore”. Por tani pas 6 dekadash, Japonia është bërë një vend që përdor energjinë bërthamore dhe tabutë lidhur me armët e mundshme bërthamore, po zbehen pak nga pak.

Çdo vit më 6 gusht, në Parkun e Paqes në Hiroshimë fiks në orën 8:15 të mëngjesit, fillon një lutje në heshtje e shoqëruar pastaj nga rënia e këmbanës, e cila shënon momentin e saktë kur arma atomike u hodh me avion mbi këtë qytet industrial të Japonisë.

Në Hiroshimë dhe Nagasaki, më shumë se 100 mijë civilë u vranë menjëherë nga bombat atomike. Qindra mijra u prekën nga rrezatimi radioaktiv – shumë prej tyre vdiqën gjatë javëve, muajve dhe viteve që pasuan.

Hiroshima dhe Nagasaki vazhdojnë të jenë dëshmi të tmerreve të luftës bërthamore dhe e bënë Japoninë e shkatërruar të shndërrohet në Zvicrën e Azisë – një vend pacifist dhe me qendrime të forta anti-bërthamore. Që nga viti 1956, politika kombëtare e Japonisë ka qenë që vendi të mos zotërojë ose të prodhojë armë bërthamore.

Në atë kohë, megjithatë, Japonia ishte nën ombrellën amerikane të mbrojtjes bërthamore si aleate e re e Uashingtonit.

Më pas Japonia u kthye në një fuqi që përdorte energjinë bërthamore, duke ndërtuar dhjetra uzina që prodhonin energji elektrike për këtë vend me burime të pakta natyrore.


Nga fundi i viteve 70, Japonia filloi të analizonte në fshehtësi mundësinë që të zotëronte armët e saj bërthamore. Studiuesi James Przystup në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes këtu në Shtetet e Bashkuara, shpjegon:

"Çdo herë, ata arrinin në përfundimin se kjo nuk do të ishte një zgjidhje e mirë për Japoninë. Japonia është një vend shumë i vogël, i cili nuk ka peshë nga pikpamja strategjike. Dhe nëse ndodh një shkëmbim bërthamor, pozita e saj do të ishte mjaft e rrezikuar."

Por kohët e fundit, kjo mënyrë të menduari po ndryshon. Politikanët e Tokios janë të shqetësuar rreth kërcënimeve të reja të mundëshme nga raketat balistike dhe armët bërthamore të Koresë së Veriut si dhe nga fuqia në rritje e Kinës.


Prandaj tani, idea e krijimit të një mbrojtjeje bërthamore, e cila ishte tabu para disa dekadash, po debatohet në qarqet kryesore politike, akademike dhe të medias. Kazuhiro Haraguchi është deputet i Partisë Demokratike të opozitës.

"Nëse ndodh më e keqja dhe Koreja e Veriut fillon provat bërthamore, në Japoni do të dëgjohen thirrje akoma më të forta për t’u armatosur me armë bërthamore si mjet frenues. Kjo nuk mund të mos përfillet."


Për shumë analistë të Azisë, si Balbina Hwang në Fondacionin konservator Heritage në Washington, çështja koreanoveriore do të jetë ndoshta katalizatori për një garë të mundëshme armatimi bërthamor në Azi.

"Nëse kriza nuk trajtohet me mënçuri nga Shtetet e Bashkuara, atëhere mendoj se e ardhmja do të jetë shumë e rrezikshme. Unë shukoj një mundësi të madhe për një garë armatimesh, thotë zonja Hwang."

Por disa analistë mendojnë se që Japonia të fillonte të kërkojë armë bërthamore, do të duhej më shumë se një provë bërthamore e Koresë së Veriut. Ja ç’thotë Weston Konishi i grupit të studimeve politike Mansfield Foundation, në Washington.

"Nuk mendoj se një provë bërthamore e Koresë së Veriut do të shërbente si shtysë për Japoninë që ajo të kërkonte armë bërthamore. Më tepër do të ishte fjala për një skenar në të cilin aleanca amerikano-japoneze do të fillonte të shpërbëhej. Me fjalë të tjera, nëse ombrella bërthamore amerikane do të zhdukej një ditë, atëhere Japonia do të zgjidhte rrugën e armëve bërthamore."

Analistët mendojnë se kjo nuk do të ndodhë së shpejti, në kushtet kur aleanca midis Tokios dhe Uashingtonit është më e fortë se kurrë.

XS
SM
MD
LG