Lidhje

Kryeministri i Kosovës ndërmerr nismën për krijimin e grupeve të punës për bisedimet mbi statusin


Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, ndërmori të martën nismën për krijimin e grupeve të ekpertëve që do të përgatisin bisedimet për statusin e ardhshëm politik të Kosovës. Zëdhënësi i kryeministrit Daut Dauti, tha se tashmë është koha e krijimit të infrastrukturës e cila sipas tij, do të mundësojë në aspektin juridik dhe politik përgatitjet për fillimin e bisedimeve me Serbinë, qofshin ato për çështje teknike apo politike.

“Nga kjo, duke pasur këtë parasysh, kryeministri sot ka propozuar që të themelohen grupet e ekspertëve për negociata dhe është koha që së shpejti të emërohet edhe një koordinator i këtyre grupeve”, tha zoti Dauti.

Ai theksoi se grupet e ekspertëve do të emërohen dhe financohen nga qeveria e Kosovës dhe në to do të përfshihen ekspertë të të gjitha fushave.

“Këto grupe do të jenë gjithpërfshirëse. Në to do të ketë ekspertë pa dallim nga ajo se cilës parti politike i përkasin, partisë politike që është në opozitë apo në pozitë, shoqatave të ndryshme joqeveritare dhe nuk përjashtohet mundësia, madje është e nevojshme të ketë ekspertë ndërkombëtarë, që edhe më herët kanë qenë të anagzhuar duke i dhënë ndihmë dhe këshilla qeverisë së Kosovës, por që ky numër është e mundur që edhe të zgjerohet”, theksoi zoti Dauti.

Sipas tij grupet e ekspertëve do të jenë të bashkërenduara nga një përfaqësues i shoqërisë civile, por pa dashur të jap hollësi rreth propozimeve konkrete për të cilat edhe më parë është folur në qarqet politike të Prishtinës.

Grupe ekspertësh për bisedimet e ardhshme rreth statusit të Kosovës janë paralajmëruar edhe nga Forumi Politik i Kosovës, por emërimi i tyre është shtyrë për shkak të pushimeve verore.

Udhëheqësit e institucioneve vendase janë pajtuar deri tani se me Beogradin do të ketë bisedime jo vetëm për cështje teknike të interesit të përbashkët, por edhe për cështje politike, mirëpo kanë përjashtuar cdo mundësi të bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës.

XS
SM
MD
LG