Lidhje

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike mban takim urgjent për Iranin


Presidenti i ri i Iranit Ahmed Ahmadinexhad thotë se paketa evropiane e ndihmave që kishte për synim të bindte Iranin që të heqë dorë nga programi i tij bërthamor, është fyese për popullin iranian.

Por sipas agjencisë studentore të lajmeve, presidenti i tha Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan gjatë një bisede telefonike se ai do të ofrojë propozime të reja për t’i dhënë fund krizës pasi të formojë kabinetin qeveritar.

Zoti Ahmadinexhad foli sot në Teheran, pasi Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike i dha fund ditës së parë të një takimi urgjent në Vjenë. Bisedimet dy ditëshe zhvillohen për të diskutuar vendimin e fundit të Iranit për të rifilluar prodhimin e materialit bërthamor.

Bashkimi Evropian, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, ka kërcënuar t’ia paraqesë çështjen Këshillit të Sigurimit të OKB-së për sanksione të mundshme nëse arrihet në përfundimin se Teherani ka shkelur Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.

Diplomatët thonë se Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike nuk ka të ngjarë t’ia paraqesë menjëherë çështjen e Iranit Këshillit të Sigurimit, por pritet të nxjerrë së pari një ultimatum të fundit pas takimit të sotëm.

Presidenti Bush tha sot se ende dyshon shumë tek ambicjet bërthamore të Iranit, por ai e cilësoi gadishmërinë e presidentit iranian për të ofruar propozime të reja si një zhvillim pozitiv.

XS
SM
MD
LG