Lidhje

Shqipëri: Partia Demokratike nënshkruan marrëveshje me dy parti për qeverinë e re


Në Shqipëri Partia Demokratike nënshkroi sot marrëveshjet për formimin e kabinetit të ri qeveritar me dy parti të tjera, Bashkimin e të drejtave të Njeriut dhe Partinë Agrare. Të dyja këto forca do të përfaqësohen me nga një ministër në kabinetin e ardhshëm që do të drejtohet nga zoti Sali Berisha. Ndërkohë, në komisionin qendror të zgjedhjeve, pas numërimit të kutive të dy qendrave të votimit në zonën 73, kandidati socialist Kastriot Islami rezultoi fitues me 36 vota më shumë.

Pas marrëveshjes të së dielës me republikanët, kryetari i Partisë Demokartike nënshkroi sot dy marrëveshje të tjera njëra pas tjetrës, me Bashkimin e të drejtave të njeriut dhe partinë Agrare, dy forcat politike që braktisën të majtën dhe që ende kanë përfaqësuesit e tyre në poste drejtuese në qeverinë e zotit Nano. Marrëveshjet u firmosën në nivel kryetarësh dhe ato përcaktojnë edhe postet që këto dy parti do të kenë në qeverinë e ardhshme.

Siç ishte deklaruar dhe më parë, Bashkimi i të Drejtave të Njeriut, partia që deri më tani ka qenë në të gjitha qeveritë e pas vitit ’90, do të ketë ministrinë e punës dhe çështjeve sociale. Kryetari i partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi pas ceremonisë se bashkëpunimi do të shtrihet në të gjitha nivelet:

"PBDNJ do bashkëqeverisë me PD në të gjitha nivelet. Është rënë dakort për postet, ministrin e punës, prefektin, komitetin kombëtar të mbrojtjes së pakicave dhe funksioneve të tjera në nivele të tjera".

Nga ana e tij kryetari i Bashkimit të të drejtave të njeriut Vangjel Dule tha se shpreson që ky bashkëpunim të jetë i ndryshëm nga koalicionet ku partitë e vogla kanë luajtur rolin e dekorit:

"Sfidat që presin qeverinë e zotit Berisha janë të shumta e të vështira. PBDNJ-ja do të jetë në krah të të gjitha përpjekjeve që do ta çojnë vendin tonë një hap dhe më afër realiteteve europiane".

Ndërsa zotit Dule, kryeministri i ardhshëm i dha angazhimin për zgjerimin e konsolidimin e lirive e të drejtave njerëzore në tërësi dhe të minoriteteve në veçanti, kryetarin e partisë Agrare ai e garantoi për peshën e rëndësishme që do të ketë zhvillimi i bujqësisë dhe mbrojtja e mjedisit. Agrarët do të kenë ministrinë e Mjedisit, Ujërave dhe Peshkimit:

"Ministria e mjedisit e cila i akordohet PAA-së do të ketë një peshë tërësisht tjetër në qeverisjen e vendit nga ajo që ka patur deri më sot. Ai merr të gjithë resurset dhe mundësitë për të ushtruar të gjithë veprimatrinë e vet e për të garantuar zhvillimin e mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri".

Ndërsa kryetari Xhuveli deklaroi se me pjesëmarrjen në qeverinë e koalicionit të djathtë, programi i partisë së tij do të gjejë një zbatim më të plotë:

"PAA është duke u bërë pjesë e koalicionit të ardhshëm me bindjen se me karakterin bashkëpunues do të kontribuojë për zhvillimin e shpejtë e të gjthanshëm të vendit, për forcimin e stabilitetit politik dhe ekonomik e qeverisës".

Tashmë për Partinë Demokratike ka mbetur marrëveshja me reformatorët. Sot zoti Berisha u takua me kryetarin Genc Pollo dhe të dy konfirmuan se gjithçka mes tyre është drejt përfundimit. Ndërsa demokristianët siç dihet nuk do të jenë pjesë e kabinetit të ardhshëm.

Ndërsa Partia Demokratike e ka forcuar mjaft shumicën parlamenatre, socialistët duket se rekuperuan edhe një mandat tjetër. Në komisionin qendror të Zgjedhjeve, pas numërimit të dy kutive të votimit, kandidati socialist Kastriot Islami doli fitues me një diferencë prej 36 votash.

Vendimi për të zyrtarizuar këtë rezultat pritet të merret nesër nga komisioni qendror, ndërkohë që sipas të gjitha gjasave ai do të përfundojë edhe në kolegjin zgjedhor, pas një ankesë të pritshme të kandidatit demokrat.

XS
SM
MD
LG