Lidhje

Një dukuri e re mes përdoruesve të internetit, i bën shpesh konkurrencë gazetarisë


Në fillim të konfliktit ushtarak në Irak, amerikanët zbuluan një dukuri të re të quajtur blog. Kjo fjalë është shkurtim i togfjalëshit web log. Fjala web shpesh përdoret si sinonim i internetit, kurse log nënkupton lidhjen me një kompjuter apo sistem kompjuterik. Ushtarë amerikanë të dislokuar në Lindjen e Mesme krijonin faqe elektronike për të shkëmbyer përvojat dhe ndjenjat e tyre. Vitin e kaluar, blogimi tërhoqi vëmendje më të madhe kur njerëz me prirje të ndryshme politike filluan në nxirrnin në pah gabime të shtypit gjatë fushatës presidenciale. Ky rol në rritje provokon pyetjen “A janë bloguesit gazetarë?”

John Hiler, redaktor i blogut “Microcontent News” shtron pyetjen se si mund të quhen bloguesit gazetarë kur nuk kanë redaktorë mbi kokë për të kontrolluar faktet që sjellin dhe kur haptas mbajnë qendrim të njëanshëm për një çështje apo një tjetër.

Megjithatë, shumica e blogeve janë tepër profesionale, qoftë kur tregojnë për përvojat jetësore të autorit ose kur shprehin opinionet e tyre me ngjyra të forta emocionale për ngjarje politike apo ndërkombëtare. Bloguesit shpesh lidhen me njëri-tjetrin dhe gjithashtu kritikojnë kolegët e tyre. Përdoruesit e internetit i zbulojnë blogët rastësisht apo përmes rekomandimeve të të tjerëve. Ata përdorin faqe kërkimi si Feedster apo Bloglines.

Jim Hill, redaktor në gazetën Washington Post, thotë se veprimtaria e bloguesve është mirëpritur në qarqet e gazetarëve.

“Gazetar mund të jetë kushdo që merr laps e letër – sa e vjetër tingollon kjo frazë në epokën elektronike - dhe përhap lajmet”.

Danny Glover shkruan blogë lidhur me ngjarje personale, si adoptimi i fëmijëve të tij. Por ai drejton edhe një faqe interneti me emër mbi teknologjinë për revistën National Journal. Ai thotë se shumë gazetarë nuk kanë ndonjë nderim të veçantë për bloguesit, madje i përbuzin. Zoti Glover thotë se nuk shkon deri aty, por e pranon se bloguesit, në mënyrë absolute, nuk janë gazetarë.

“Ata janë kundërshtarë intelektualë të angazhuar në betejë të kësaj lufte informatike të shekullit të 21-të. A janë gazetarë bloguesit? Përgjigja është një jo e fortë. Ata nuk janë gazetarë dhe shihet qartë që as nuk kanë dëshirë. Ata janë veprimtarë të bazës, të cilët, po qe se do të linin punët që kanë dhe ndryshojnë karrierat e tyre, ka më shumë të ngjarë të përfundojnë në rrethe politike se gazetareske”.

Zoti Glover e pranon se bloguesit nganjëherë kryejnë funksione gazetarie si për shembull shqyrtimi i fakteve në deklaratat e politikanëve. Të paktën, në këtë rol, thotë ai, ata janë vëzhgues të rëndësishëm publikë.

Një prej bloguesve më të sukseshëm të Amerikës është Ed Morrissey, blogu konservator i të cilit një herë u bllokua për shkak të 20 mijë vizitave njëherësh në këtë faqe nga përdorues të internetit. Ai thotë se bloguesit bëjnë kërkime të thella për të zbuluar informacion dhe ua shpërndajnë lexuesve.

“Dhe kjo është gazetari, pavarësisht se si dikush i quan autorët e blogëve”.

Zoti Morrisey e pranon se bloguesit zakonisht janë të njëanshëm, por shton se ka gazetarë që përçojnë preferenca të fshehura ose të pafshehura për tema të ndryshme.

Gazetaria është njohur prej kohësh si një karrierë që kërkon shumë aftësi dhe profesion i nderuar. Bloguesit, nga ana tjetër rrallë paguahen për veprimtarinë e tyre. Më e shumta, që arrijnë, nganjëherë quhen gazetarë amatorë. Shumica e tyre blogojnë mbrëmjeve apo në fundjavë apo gjatë pushimit në punë.

Bloguesi Jeff Jarvis shkruante se gazetaria është institucionale, jopersonale dhe e shkarkuar nga emocionet, kurse blogët janë njerëzorë, personalë dhe plot pasion. Por, po aq sa bloguesit, ka edhe gazetarë të pozicionuar për çështje të ndryshme, gjë që bie në kundërshtim me traditën amerikane të shtypit. Sipas kësaj tradite, vetëm ata që shkruajnë lajme objektive dhe nuk interpretojnë apo nuk transmetojnë analizat e tyre personale, nuk propagandojnë preferencat e tyre politike, kanë të drejtën legjitime ta quajnë veten gazetarë.

XS
SM
MD
LG