Lidhje

SHBA: Një anëtar i Kongresit kërkon hetime për punën e komisionit të 11 shtatorit


Një anëtar i Kongresit amerikan kërkoi zhvillimin e hetimeve për të sqaruar se përse komisioni i pavarur i cili hetoi rreth sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara nuk përfilli informacionet sipas të cilave disa nga rrëmbyesit e avionëve të 11 shtatorit 2001 ishin identifikuar si një kërcënim potencial më shumë se një vit para se të kryheshin sulmet.

Kongresmeni republikan Curt Weldon i Pensilvanisë thotë se një njësi ushtarake sekrete e quajtur Able Danger kishte identifikuar si kërcënime të mundëshme shumë kohë para se të ndodhnin sulmet e 11 shtatorit, 4 nga të 19 rrëmbyesit e avionëve të asaj dite.

"Ata thanë se kishin identifikuar në këtë proces celulën e Mohammed Attës në vitin 1999 dhe në shtator të vitit 2000, në tre raste të veçanta rekomanduan që të ndërhynte FBI-ja për të shkëmbyer me të informacionet që kishin rreth celulës së Mohammed Attës. Avokatët e qeverisë u thanë se nuk mund ta bënin një gjë të tillë", tha zoti Weldon.

Kongresmeni Weldon thotë se kërkon hetime nga ana e Kongresit për të përcaktuar se kush pengoi që informacioni të mos u kalohej kanaleve përkatëse dhe përse komisioni i pavarur që u mor me hetimet rreth sulmeve nuk e përfshiu këtë episod në raportin e tij përfundimtar vitin e kaluar.

Kongresmeni Weldon thotë se një prej analistëve të zbulimit ushtarak, i cili nuk dëshiron të identifikohet, kishte folur me stafin e komisionit 11 shtatorit vetëm pak ditë para se të publikohet raporti.

Por bashkëkryetari i komisionit, ish kongresmeni Lee Hamilton, i tha rrjetit televiziv CBS se ky informacion nuk u ishte bërë i ditur anëtarëve të komisionit.

"Ai emër ishte shumë i njohur për ne dhe nëqoftëse ky emër do të ishte përmendur, kjo do të na kishte vënë në alarm dhe do të ishte bërë fokusi i hetimit tonë."

Disa familjarë të viktimave të 11 shtatorit i janë bashkuar thirrjes për të hetuar rreth kësaj çështjeje. Ata thonë se ishin shqetësuar kur mësuan se komisioni mund të mos ishte informuar rreth mundësisë që analistë të zbulimit të kishin identifikuar një celulë terroriste shumë më përpara se të ndodhnin sulmet e 11 shtatorit.

XS
SM
MD
LG