Lidhje

Dobins: Negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës duhet të fillojnë pa vonesë


Shqiptarët e Kosovës shpresojnë se ky do të jetë viti kur komuniteti ndërkombëtar do t’u hapë dritën e gjelbër negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës, duke përmbushur aspiratat e tyre shekullore për pavarësi dhe vetëvendosje. Por një analist amerikan e shikon hapjen e negociatave si një domosdoshmëri për të shmangur shkallëzimin e tensioneve dhe si një garanci për një të ardhme më të begatë dhe më të sigurtë edhe për pakicat e tjera etnike në Kosovë. Analisti Xhejms Dobins, i institutit Rand, i bëri këto komente në një intervistë për korrespondenten e Zërit të Amerikës Jela Jevremovic duke theksuar edhe nevojën për fillimin pa vonesë të këtyre negociatave.

Xhejms Dobins, i cili ka qenë zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit, thekson se negociatat për zgjidhjen e statusit të Kosovës duhet të bazohen në angazhimet e komunitetit ndërkombëtar ndaj Marrëveshjes së Rambujesë. Komuniteti ndërkombëtar, thotë analisti, ua bëri të qartë përfaqësuesve të Kosovës se, nëse ishin të gatshëm të nënshkruanin marrëveshjen, atëherë angazhimet e saj kryesore do të viheshin në zbatim nga Natoja, qoftë edhe me konflikt. Kjo ndodhi: shqiptarët e Kosovës e nënshkruan marrëveshjen, serbët nuk e nënshkruan atë dhe Natoja ndërhyri në mënyrë që të sprapseshin forcat serbe nga Kosova.

“Në vetë Marrëveshjen e Rambujesë është e qartë se vullneti i popullit të Kosovës do të ishte një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Ky nuk është faktori i vetëm, por është një faktor i rëndësishëm dhe delegacioni amerikan e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të pranonin një status përfundimtar për Kosovën, i cili nuk pranohej nga vetë populli i Kosovës,” thotë analisti. Zoti Dobins nuk sheh ndonjë përplasje ndërmjet Marrëveshjes së Rambujesë dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Vetë rezoluta, thotë ai, i referohet Marrëveshjes së Rambujesë dhe e përfshiu atë si një ndër faktorët që duhej marrë parasysh kur të merrej në shqyrtim statusi përfundimtar nga komuniteti ndërkombëtar.

Analisti vë në dukje se Grupi i Kontaktit ndjehet i zhgënjyer me nivelin e përmbushjes së standarteve. Përparimi i pakënaqshëm, thotë ai, nuk është krejtësisht faji i shqiptarëve të Kosovës, por edhe i serbëve në Kosovë dhe jashtë saj, të cilët nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë për zbatimin e standarteve dhe me qeverinë e krijuar në përputhje me rezolutën 1244. Por kjo paralajmëron zoti Dobins nuk duhet përdorur si justifikim për të penguar fillimin e negociatave për statusin:

"Mendoj se do të ishte gabim të shtyhej për më vonë zgjidhja e çështjes së statusit të Kosovës. Nuk mendoj se ka shumë të ngjarë që ndonjëra nga palët të tregohet shumë e angazhuar për të ndërtuar një shoqëri shumëetnike, për sa kohë që nuk është zgjidhur çështja e statusit përfundimtar. Mendoj se statusi i papërcaktuar e acaron më tej marrëdhëniet ndërmjet dy komuniteteve kryesore etnike,” thotë zoti Dobbins.

Analisti përshëndet përpjekjet për decentralizimin e pushtetit, duke i cilësuar ato si një masë për të garantuar të drejtat e pakicave, por paralajmëron se ky është një proces delikat që mund të minojë ekzistencën e Kosovës si njësi politike: “Procesi i decentralizimit është pozitiv në varësi të përkufizimit që i jep këtij procesi. Duhet të ketë garanci për komunitetin serb se do të jenë në gjendje të jetojnë në paqe dhe dinjitet në një Kosovë të pavarur dhe sovrane dhe t’u jepet mundësia të marrin disa vendime autonome lidhur me arsimimin apo çështje të tjera kulturore. Kjo mund të zgjidhet përmes organizimit territorial qoftë me kantone apo komuna, të cilat të kenë një shumicë serbe. Por këto komuna duhet të jenë pjesë e një njësie funksionale politike. Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar idenë e ndarjes së Kosovës. Nëse ka ndarje të Kosovës, vazhdon zoti Dobbins, duhet që të ketë edhe ndarje të Serbisë, pasi edhe vetë Serbia ka pjesë territoriale që nuk banohen me shumicë serbe. Pra në mënyrë që të shmangim ndarjen e njësive territoriale në Ballkan, ideja e ndarjes së Kosovës do të ishte ide e keqe. Përveç kësaj, ndarja do të nxiste një valë të re spastrimi etnik. Të mos harrojmë se pjesa më e madhe e serbëve në Kosovë nuk jetojnë në veri të Kosovës, por janë të përhapur kudo në territorin e saj,” thekson analisti i Institutit Rand.

Analisti Xhejms Dobbins pohon se angazhimi i serbëve të Kosovës dhe i Beogradit në negociatat për statusin e Kosovës do të ishte pozitiv dhe i detyrueshëm por nuk duhet të bëhet faktor kushtëzues për fillimin e këtyre negociatave: “Ka rëndësi që serbëve të Kosovës t’u jepet mundësia të thonë fjalën e tyre dhe të lejohen të marrin pjesë në procesin për përcaktimin e strukturës së një Kosove të pavarur. Është e rëndësishme që edhe Beogradit t’i jepet kjo mundësi. Por nga ana tjetër, ka rëndësi që ky proces të realizohet edhe nëse serbët nuk e shfrytëzojnë një mundësi të tillë. Pra nuk mund të lejojmë që mosangazhimi i tyre të bëhet pengesë për përmbushjes së procesit të përcaktimit të statusit. Pra duhet t’u bëhet e qartë se ata do të kenë një zë në këtë proces, por jo të drejtën e vetos,” thotë zoti Dobbins.

Megjithëse analisti thekson nevojën e fillimit pa vonesë të negocitave për statusin, ai nënvizon rëndësinë e vazhdimit të angazhimit ndërkombëtar në Kosovë: “Sovraniteti i Kosovës mund të jetë i kufizuar. Mendoj se një Kosovë e pavarur pas 2-3 vjetësh mund t’i ngjajë shumë Bosnjes: pra do të vazhdojë të ketë një prani ndërkombëtare, siguria do të vazhdojë të ofrohet nga paqëruajtës të Bashkimit Evropian apo Natos, dhe komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë të ketë veton dhe një farë kontrolli mbi masa që mund të mos përputhen me marrëveshjen që arrihet. Pra sovraniteti do të jetë i kufizuar, por megjithatë Kosova do të jetë një vend sovran i cili do të ketë vendin e tij në Kombet e Bashkuara dhe e njohur si vend sovran nga Banka Botërore dhe institucione të tjera dhe të gëzojë të drejtën për të kërkuar antarësim në Bashkimin Evropian,” thotë zoti Dobbins.

Zgjidhja e çështjes së statusit, thekson analisti, përmbush jo vetëm aspiratat e popullit shqiptar të Kosovës, por i shërben edhe sigurisë dhe mirëqënies së pakicave të tjera etnike në Kosovë, pasi do të rrisë stabilitetin dhe mirëqënien ekonomike: “Zgjidhja e çështjes së statusit, pikësëpari, eliminon pasiguritë që mendoj se ndjejnë si komuniteti shqiptar ashtu edhe ai serb në Kosovë. Për sa kohë që shqiptarët shqetësohen sa ka gjasa që serbët të rimarrin nën kontroll Kosovën, ata e shohim praninë serbe në Kosovë si një kërcënim për kthimin e kontrollit serb. Po ashtu edhe serbët në Kosovë, nëse ushqejnë shpresa se mund të përfshihen përsëri në territorin e Serbisë dhe të jenë pjesë e shumicës serbe, ata nuk do të jenë të gatshëm të bëjnë kompromiset e nevojshme për të jetuar në paqe dhe dinjitet në një Kosovë të pavarur. Pra mendoj se me vendosjen e një farë sigurie mbi të ardhmen e Kosovës do të pakësohen tensionet enike. Statusi do të ofrojë edhe kornizën intelektuale brenda së cilës të dyja palët të arrijnë një mirëkuptim. Nga pikëpamja ekonomike zgjidhja e statusit do të lejojë zgjidhjen e çështjeve të pronave si dhe çështje të tjera që kanë penguar investimet dhe zhvillimin ekonomik. Përfitimi kryesor për Serbinë është se me zgjidhjen e statusit të Kosovës hiqet një barrë e madhe politike dhe ekonomike. Kosova është një temë që largon vëmendjen nga përparësitë kryesore. Në Serbi nuk ka politikanë që mendojnë seriozisht se policia dhe trupat serbe mund të kthehen një ditë në Kosovë,” thotë zoti Dobins.

Duke qenë një analist i pavarur, zoti Dobbins nuk pranon të flasë në emër të qeverisë amerikane lidhur me statusin e ardhshëm Kosovës, por thekson se politikat të cilave u është përmbajtur Uashingtoni mbështesin një zgjidhje që pranohet nga shumica e popullsisë së Kosovës, por që merr në konsideratë të drejtat e pakicave etnike atje: “Unë nuk jam zëdhënës i qeverisë amerikane. Por mendoj se politika amerikane është se duan që kjo çështje të zgjidhet në një mënyrë që është e pranueshme nga populli i Kosovës dhe gëzon mbështetjen e shumicës, por nga ana tjetër siguron që pakicat në Kosovë do të mund të jetojnë në paqe dhe me dinjitet. Kjo nënkupton një zgjidhje që do të çojë në pavarësinë e Kosovës brenda kufijve aktualë, por një Kosovë që të ketë dhënë garanci dhe ka pranuar kushte që u sigurojnë pakicave ekzistencën në paqe dhe dinjitet. Unë mendoj se komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë të jetë i angazhuar që të sigurohet se këto angazhime do të plotësohen,” thotë analisti i Institutit Rand, Xhejms Dobbins.

XS
SM
MD
LG