Lidhje

Një organizatë jo-qeveritare diskuton për të ardhmen e Kosovës


Organizata të ndryshme dhe grupe lobiste në Shtetet e Bashkuara dhe veçanërisht në Uashington, nga ato në mbështetje të pavarësisë së pakushtëzuar për Kosovën tek ata që janë kundër saj vazhdojnë diskutimet e kësaj çështjeje, por varet nga lojtarët kryesorë në skenën ndërkombëtare se si do të trajtohet përfundimisht çështja e Kosovës. Dje në një nga mjediset e Senatit amerikan, Instituti për Fenë dhe Politikën Publike, organizatë jo-qeveritare, organizoi një konferencë shtypi për të diskutuar të ardhmen e Kosovës.

Thomas Melady, ish-diplomat amerikan i karrierës, tani konsulent në Institutin për Politikat Botërore, tha se atmosfera aktuale në Kosovë nuk i shërben aspak pajtimit mes komuniteteve etnike dhe nuk garanton aspak lirinë e tyre, veçanërisht të pakicës sërbe. Zoti Melady, i cili vizitoi rajonin kohët e fundit tha se në Kosovë duhet të vazhdojë prania ndërkombëtare për aq sa të nevojitet për pajtimin e komuniteve etnike dhe krijimin e një atmosfere tolerance.

“Unë gjithmonë kam besuar dhe jam optimist për arritjen e pajtimit edhe në rrethanat më të vështira. Por çdo lloj pavarësie për Kosovën do të ishte një hap i nxituar dhe i gabuar. Për mendimin tim rruga që duhet ndjekur është bashkëpunimi me të gjitha komunitetet nën qeverisjen, praninë dhe mbështetjen ndërkombëtare”.

Zoti Melady tha se shpërthimet e dhunës kohët e fundit kanë treguar se ka patur një bashkërendim të pamjaftueshëm në strukturën e komandës së forcave në Kosovë dhe që të mos përsëriten ngjarjet e martit 2004, theksoi ai, ky bashkërendim veprimesh është me rëndësi jetike.

Edhe Joseph Grieboski, President i Institutit për Fenë dhe Politikën Publike u shpreh për vazhdimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë, të paktën edhe për një periudhë pesë vjeçare, për të garantuar të drejtat e pakicave dhe funksionimin e shoqërisë civile. Ai tha se tërheqja nga Kosova në një kohë kur shoqëria është teket e polatizuar në baza etnike dhe fetare, do t’i hapte rrugën dhunës si ajo e marsit 2004.

“Pavarësia Kosovës do të ishte një shkëputje nga ligji apo norma ndërkombëtare. Ajo t’i dërgonte një mesazh të gabuar terroristëve apo banditëve që të prëdorin mjetet e dhunës dhe vrasjet për të hipur në pushtet. Ajo do të ishte një mesazh se dhuna sjell përfitime politike".

Shtetet e Bashkuara thonë se statuskuoja e statusit të papërcaktuar të Kosovës nuk është më e qendrueshme, e dëshirueshme apo e pranueshme. Kjo gjendje nuk plotëson dëshirat e asnjërës palë apo të popujve të atij rajoni, dhe le të hapur mundësinë për ripërsëritjen e dhunës etnike. Po të mos diskutohet së shpejti statusi i Kosovës, kjo do të rrezikonte të gjitha arritjet në Ballkan gjatë dhjetë viteve të fundit

XS
SM
MD
LG