Lidhje

Podkastet, prirje e re e teknologjisë së internetit


Podkastet janë dosje informacioni elektronik që mund të regjistrohen në mjete elektronike si iPodi. Podkastet fillimisht ishin një metodë e përdorur nga artistë të pazbuluar ende nga industria muzikore, të cilët ia përcillnin interpretimet e tyre publikut që përdor internetin. Por këto dosje elektronike kanë hyrë në përdorim të gjerë edhe nga stacionet televizive dhe mediat e tjera, të cilat shpresojnë se së shpejti do t’i shndërrojnë podkastet në një burim të ardhurash:

Podkastet janë dosje elektronike për regjistrim të tingujve. Ato mund t’i regjistrosh në kompiuter ose t’i transferosh në iPOD apo në ndonjë magnetofon dore. Janë pak a shumë si një program i shkurtër radioje, por ndryshe nga radio-stacionet që transmetojnë përmes internetit, përmes podkasteve mund të dëgjosh programet e preferuara kudo të jesh dhe kur të duash.

Përdorimi i podkasteve mori hov verën e kaluar, pas hedhjes në treg të iPOD-it, një mjet i ri elektronik që lejon regjistrim automatik të dosjeve.

Podkastet u bënë një zgjedhje e preferuar e mediave të pavarura, muzikantëve, artistëve apo kujtdo që donte të krijonte një program radiofonik, por nuk i jepej mundësi të përdorte valët e një radio-stacioni ose nuk kishte para për të blerë liçencën për radio.

Brajan Rasëll përgatit për transmetim një program të përjavshëm të titulluar Audi-Aktivizmi. Ai thotë se është shumë e thjeshtë të përdorësh podkastet:

“Të duhet një mikrofon, një mjet për të regjistruar zërin dhe një kompiuter”.

Kështu krijoheshin dosjet podkast vjet. Por sivjet podkasti ka hyrë në përdorim të gjerë. Politikanë, si ish-senatori demokrat Xhon Eduards, po përdorin podkastet për të përcjellë mesazhin e tyre, ndërsa rrjeti televiziv Fox po krijon dosjet e veta me programet më të ndjekura. Rrjete të tjera televizive si CBS ofrojnë gjithashtu dosje podkast ku janë të regjistruara emisionet e lajmeve, të cilat mund t’i dëgjosh kur je duke u kthyer nga puna më këmbë apo me tren. Dik Mejër është kryeredaktor i faqes elektronike CBSnews.com

“Konsumatori amerikan nuk kënaqet më vetëm kur merr lajmet që ofrojnë mediat. Ne kemi tashmë teknologjinë për t’u ofruar dëgjuesve lajme dhe informacion të freskët, nga platforma të ndryshme. Përmes podkasteve do të bëjmë tashmë edhe më shumë”.

Ndër të rejat e fundit nga dosjet podkast është krijimi i faqes elektronike iTunes nga kompania Apple, përmes së cilës mund të regjistrosh menjëherë podkastet e preferuara në një magnetofon dore, pasi ke bërë një abonim në temat e preferuara. Për disa mund të jetë e vështirë, por Dik Mejër thotë se nuk është thjeshtë një teknologji e re e kërkuar nga konsumatorët, por edhe një burim i ri të ardhurash:

“Na janë drejtuar drejtues të kompanive reklamuese me kërkesën për t’iu bashkangjitur dosjeve podkast që ne ofrojmë për dëgjuesit. Ata duan t’i përdorin podkastet për reklama”.

Aktualisht ka mbi 7 mijë podkaste në transmetim dhe ky numër rritet për ditë – një mundësi e re për të komunikuar me konsumatorin, që reklamuesit nuk mund ta lënë në harresë.

XS
SM
MD
LG