Lidhje

Irak: Projekt-kushtetuta mund të jetë gati një ditë para afatit


Presidenti i Irakut Jalal Talabani tha se komisioni që po merret me hartimin e kushtetutës së re të vendit ka zgjidhur shumë nga çështjet kritike dhe parashikoi se projektdokumenti mund të jetë gati nesër, një ditë para afatit.

Presidenti Jalal Talabani u tha gazetarëve sot se diskutimet po përqendrohen tek kërkesat e shiitëve në Irakun jugor për krijimin e një rajoni federal në zonën e tyre dhe tek marrëdhëniet midis Islamizmit dhe shtetit.

Disa anëtarë të komisionit prej 71 vetësh për hartimin e kushtetutës thanë se shumica e mosmarrëveshjeve është zgjidhur, duke përfshirë edhe çështjen e shpërndarjes së pasurisë së naftës. Ata thonë se kjo do t'u jepte zonave të prodhimit të naftës 5 përqind të të ardhurave ndërsa pjesa tjetër do t'i kalonte qeverisë qendrore për ta shpërndarë në të gjithë vendin.

Në një zhvillim tjetër, banorët pranë qytetit perëndimor të Ramadit ua hodhën fajin trupave amerikane për një shkëmbim zjarri që ndodhi dje pranë një xhamie, ku sipas zyrtarëve u vranë 15 persona, 8 prej tyre fëmijë. Por zyrtarët ushtarakë amerikanë thane se trupat e tyre nuk kanë marrë pjesë në asnjë incident të tillë në këtë zone.

XS
SM
MD
LG