Lidhje

Kosovë: Përcaktohet shtrirja e komunave të reja që do të krijohen me procesin e decentralizimit


Zëvendësshefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Larry Rossinu nënshkroi të premten pesë urdhëresa ekzekutive për zbatimin e decentralizimit, në pesë komunat provë të parapara me planin e qeverisë së Kosovës. Sipas këtyre vendimeve, komuna e Mamushës në perëndim të Kosovës e banuar me shumicë turke do të ketë vetëm një njësi kadastrale, ndërsa kater komunat tjera dy nga të cilat me shumcië serbe dhe dy me shumicë shqiptare do të kenë nga disa fshatra përreth.

Sipas planit komuna me shumicë serbe e Parteshit në Kosovën Lindore do të përfshijë nën administrim fshtarat Budrigë e Poshtme dhe Cërnicë, ndërsa Gracanica po me shumicë serbe afër Prishtinës përfshinë fshtarat Hjvali, Llaplasellë, Preoc dhe Sushicë, duke përmbushur kësisoji karakterin shumetnik.

Ndërsa komunat me shumcië shqiptare ai ajo e Junikut në Kosovën perëndimore përfshinë edhe fshatrat, Jasiq-Gjocaj, Rastavicë, Sllup dhe Voksh, ndërsa Hani i Elezit merr nën administrim fshatrat Dimcë, Dromjak, Gorancë, Krivenik, Neçavc, Palivodenicë, Pustenik, Rezhancë, Seqishtë dhe Vërtollnicë.

Nënshkrimi i urdhëresave ekzekutive, nga UNMIK-u është cilësuar si një hap përpara drejt zbatimit të decentralizimit si pjesë e standardeve parësore të përcaktuara për t’u përmbushur para zgjidhjes së statusit politik të Kosovës.

Nënshkrimi pasoi mbështetjen që planit të ndryshuar të qeverisë së Kosovës për decentralizimin i dhanë shefat e zyrave të vendeve të Grupit të Kontaktit. Shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, tha se qeveria e Kosovës i ka marrë seriozisht kërkesat e Grupit të Kontaktit dhe në dobi të veten dhe të ardhmes së Kosovës ka bërë një ofertë e cila duhet mbështetur, meqë sipas tij me veprimet e fundit qeveria ka hapour edhe rrugën e dialogut ndërmjet komuniteteve.

“Tregimi më i rëndësishëm është se dyert janë të hapura për këto cështje që nuk janë të mbyllura, por kërkojnë dialog ndërmjet komuniteteve, që kërkojnë që dyert të jenë hapura jo vetëm nga qeveria por edhe nga pala serbe”, tha zoti Goldberg duke u bërë thirrje pjesëtarëve të këtij komuniteti që të bëhen pjesë e procesit.

Ministri i Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri tha se nga e hëna do të fillojnë përpjekjet për zbatimin e këtij procesi që është provë për reformën e pushtetit, ndërsa nënëshkrimi mënjanon kundërthëniet rreth decentralizimit.

“Po ashtu do të krijojë mundësi që të eleminohen të gjitha format tjera të shpresave të rrejshme që kanë ekzistuar se ky proces është I papranueshëm, është I destinuar të dështojë, me tendenca për të sjellë projekte nga jashtë Kosovës si pjesë e kompromiseve ë tavolinë”, tha ministri Haziri.

Ai theksoi se është koha që përfaqësuesit e komunitetit serb të përfshihen në proces, sepse plani I qeverisë paraqet zgjidhjen më të mirë për kërkesat e tyre.

Por Rangjell Nojkiq, nga Lista Serbe për Kosovën dhe Metohinë, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, tha se plani ende nuk është i pranueshëm.

“Ne mendojmë se kjo zgjidhje është më e keqe sesa zgjidhja e parë dhe nuk i përshtatet fare komunitetit serb”, tha Rangjel Nojkiq.

Ai nënvizoi se ditët e ardhshme priten debate rreth kësaj çështjeje për të sqaruar vendimet e tyre rreth procesit, i cili është kundërshtuar fuqishëm nga autoritetet e Beogradit.

Decentralizimi është pjesë e standardeve që duhet përmbushur para fillimit të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës.

XS
SM
MD
LG