Lidhje

Presidenti Bush thotë se Shtetet e Bashkuara nuk do të tërhiqen para kohe nga Iraku


Ndërkohë që protestues kundër luftës kanë ngritur kampingun e tyre pranë fermës së tij në Teksas, Presidenti Bush thotë se trupat amerikane do të qendrojnë në Irak deri në stabilizimin e tij. Presidenti Bush thotë se irakianët po bëjnë përparim drejt afatit të së hënës për hartimin e një kushtetute të re.

Me gjithë dhunën që vazhdon në Irak, Presidenti Bush thotë se zyrtarët e zgjedhur irakianë po përfundojnë punën për një kushtetutë demokratike, një kushtetutë për të cilën ai thotë se është një hap themelor për Irakun drejt vetëqeverisjes.

“Irakianët po marrin në kontroll vendin e tyre duke ndërtuar një vend lirë që mund ta qeverisin vetë, ta mbajnë dhe ta mbrojnë vetë. Dhe ne po i ndihmojmë t’ia dalin mbanë. Po ndjekim dhe asgjësojmë terroristët dhe po stërvisim forcat e sigurimit të një Iraku të lirë në mënyrë që Iraku të mund të mbrohet vetë”.

Presidenti irakian, Xhelal Talebani, thotë se zyrtarët kanë zgjidhur shumë mosmarrëveshje dhe se po përqendrohen tani në kërkesat e shiitëve për rajonin e tyre fedederal në Irkaun Jugor.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Bush e lidhi përsëri luftën në Irak me luftën më të gjerë kundër terrorizmit dhe me sulmet e 11 shtatorit 2001. Ai po i hedh poshtë thirrjet për pakësimin e numrit të trupave amerikane në Irak duke thënë se ushtarët po luftojnë jashtë Shteteve të Bashkuara në mënyrë që amerikanët të mos përballen me terrorizëm në vendin e tyre.

“Terroristët nuk mund të na mundin në fushëbetejë. E vetmja mënyrë përmes së cilës ata mund të fitojnë, është sikur ne të humbasim durimin dhe kjo nuk do të ndodhë sa të jem president. Tërheqja e trupave para kohe nga Iraku do të ishte tradhëti për irakianët dhe do të bënte që ë tjerët të vinin në pikëpyetje angazhimin e Amerikës për përhapjen e lirisë dhe për të fituar luftën kundër terrorizmit”.

Sondazhet e opinionit publik tregojnë se presidenti po humbet mbështetje për luftën në Irak, ndërkohë që një anketë e zhvilluar nga agjencia e lajmeve Associated Press tregon se përqindja e përkrahësve të mënyrës se si zoti Bush po e drejton luftën në Irak, ka rënë në 38 për qind.

Pushimet pesëjavore të presidentit në Teksas janë mjegulluar gjithashtu nga protestues kundër luftës të udhëhequr nga nëna e një ushtari 24-vjeçar të vrarë në Irak.

Cindy Sheehan ka ngritur tendën e saj pranë fermës së presidentit Bush Prairie Chapel dhe po kërkon për t’u takuar me të për t’i shprehur qendrimin e saj kundër luftës. Autokolona e presidentit kaloi pranë vendit ku protestuesit kanë ngritur kampingun e tyre, rrugës për në një veprimtari republikane për mbledhje fondesh, por zoti Bush nuk ndaloi.

Ai thotë se e ndjen dhimbjen e zonjës Sheehan dhe se e kupton sa sa fuqishëm ndjen ajo për luftën. Ai u tha gazetarëve javën e kaluar se ka menduar mjaft dhe për një kohë të gjatë lidhur me tërheqjen e trupave nga Iraku, por beson se kjo do të ishte shenjë dobësie për Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG