Lidhje

Profili i Senatorit republikan Arlen Specter


Kur kandidati për Gjykatën e Lartë, Xhon Roberts të dalë para komisionit të senatit për çështjet juridike, gjatë procesit të konfirmimit të tij, një tjetër figurë do të jetë në qendër të vëmendjes, senatori republikan Arlen Specter, kryetari i këtij komisioni. Senatori Specter është po ashtu në qendër të një debati tjetër në Uashington, të kërkimeve shkencore me qeliza embrionale. Kjo është një çështje e rëndësishme për të, pasi ai vetë po kurohet nga një formë e avancuar kanceri.

Arlen Specter është 75 vjeç dhe ka qënë Senator për 25 prej tyre. Dhe megjithë kurat ndaj kancerit, ai është vazhdimisht në lëvizje, në seanca dëshmish, në konferenca shtypi, në takime me Shtëpinë e Bardhë dhe ndonjëherë edhe në aktivitete sportive. Ai thotë se ka nevojë të qëndrojë i zënë me punë.

“Në se nuk e mbaj veten të zënë vazhdimisht, në se kam kohë të lirë dhe filloj mendoj, do të filloj të mendoj për veten. Prandaj më mirë preferoj të punoj se të mendoj për veten.”

Por disa kanë shtruar pyetjen në se ai po punon më shumë se ç’duhet, por ai vetë thotë se puna është gjeja më e mirë që mund të bëjë. Së shpejti ai do të drejtojë seancat e dëshmive për kandidatin për Gjykatën e Lartë, Xhon Roberts, në rolin e tij si Kryetari i Komisionit të Senatit për Çështje Jurididke. Po ashtu ai merret me disa prej çështjeve më të vështira me të cilat përballet Kongresi. Mes tyre: sigurimi i fondeve për sigurimet shëndetësore dhe rihartimi i ligjeve për Aktin Patriot, paketa ligjore anti-terroriste e miratuar pas sulmeve të 11 shtatorit.

Veç kësaj, Senatori Specter po punon intensivisht për një ligj tjetër që ka edhe tone personale. Ai kërkon heqjen e kufizimeve për përdorimin e fondeve federale për kërkime për qeliza embrionale. Kërkime të tilla thotë ai, jo vetëm që do të ndihmojnë në të ardhmen, por mund të kishin ndihmuar edhe vetë atë.

“Ata mund të kishin gjetur një rrugë që Arlen Specter të mos ishte prekur nga kanceri.”

Senatori Specter kërkon që të përdoren fonde federale për kërkime në fushën e qelizave embrionale për ato embrione që klinika të ndryshme mjekësore do t’i hidhnin përndryshe poshtë. Disa kolegë të tij republikanë thonë se shkatërrimi i embrioneve, është shkatërrim i një jete të mundshme. Senatori Speckter e pranon hapur se kjo nuk e shqetëson tani, ashtu siç u pa gjatë një shkëmbimi që pati me Senatorin Sam Brownback gjatë një emisionin në rrjetin ABC.

Sen. Brownback: “Kur filloi jeta juaj?

Sen. Specter: “Sam, unë jam më i shqetësuar për jetën tani, se kur do të më përfundojë”.

Senatori Spekter po lufton tani ndaj lodhjes që të shkakton kura e kimoterapisë, dhe thotë se po përqëndrohet tek jete. Ai mban me vete një orë qelqi me rërë, për ata njerëz që vuajnë nga sëmundje të pashërueshme dhe që janë në pritje të kurave. Kjo e kujton se sa punë ka ende për të bërë.

“Kjo orë të kujton se njeriu është një qënie e vdekshme. Ne jemi këtu të gjithë për një periudhë të caktuar.”

Synimi i Senatorit Specter është ta bëjë çdo minutë të vlefshme.

XS
SM
MD
LG