Lidhje

I dërguari i OKB-së, Kai Eide arrin në Kosovë


I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, ambasadori norvegjez, Kai Eide, arriti të dielën pasdite në Prishtinë për vizitën e tij të tretë me radhë, para vlerësimit gjithëpërfshirës të standardeve në Kosovë.

Ambasadori Eide kësaj radhe do të qëndrojë për shtatë ditë në rajon, për të mbledhur sa më shumë informacione që do t’i duhen për të hartuar raportin e tij, që sipas paralajmërimeve, në shtator duhet t’i dorëzohet Sekretarit të Përgjithshëm dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në aeroportin e Prishtinës ai tha se nuk është vetëm në dorën e tij se kur do të përfundojë raporti por kjo është edhe në duart e institucioneve të Kosovës se kur do të realizojnë detyrimet e tyre. Shumë nga çështjet që do të shqyrtohen gjatë kësaj faze të misionit të tij kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, tha zoti Eide.

“Por, kjo nuk ka të bëjë në tërësi me marrëdhëniet entike por ka të bëjë me kushtet themelore për cdo qytetar të Kosovës tha zoti Eide, duke përmbledhur edhe çështjen siç tha ai të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar”.

Vizita aktuale e ambasadorit Eide, pason qëndrimin e tij në rajon në muajin korrik, pas të cilit ai paraqiti vërejtjet e tij ndaj institucioneve të Kososvës për ngadalësim të procesit të përmbushjes së standardeve. Vërejtjet e tij u pasuan me qortime të diplomatëve të vendeve të Grupit të Kontaktit ndaj qeverisë së Kosovës për mungesë përparimi, posacërisht në procesin e decentralizimit të pushtetit.

Vizita e sapofilluar e ambasadorit Eide e gjen Kosovën me një plan të ndryshuar të decentralizimit dhe me urdhëresat e UNMIK-ut për fillimin e shpejtë të zbatimit të tij, një plan ky i kundërshtuar nga opozita dhe ende I papranuar nga përfaqësuesit e komunitetit serb.

Zoti Eide tha se plani është një hap I rëndësishëm përpara dhe këtë cështje do ta debatojë me bashkëbiseduesit e tij në Kosovë. Sidoqoftë, amabasadori Eide ka hyrë në periudhën e fundit të vlerësimeve dhe nga raporti i tij do të varet nëse vjeshta do të shënojë edhe fillimin e procesit të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës.

XS
SM
MD
LG