Lidhje

Një rekomandim i Pentagonit, mund të sjellë mbylljen e një baze të rëndësishme nëndetësesh


Në muajin maj Departamenti amerikan i Mbrojtjes rekomandoi mbylljen e plotë ose të pjesshme të një sërë bazash në mbarë vendin. Mes 180 bazave në listë, ishin disa prej institucioneve ushtarake më të vjetra, më të mëdha dhe më të respektuara. Një prej tyre është Baza e Nëndetëseve Bërthamore në Kënektikat. Në se rekomandimi miratohet, mbyllja dhe çmontimi i bazës mund të fillojë brenda vitit.

Ekspertët ushtarakë thonë se lufta e Ftohtë me ish Bashkimin Sovjetik nuk mund të ishte fituar pa nëndetëset e fuqishme, gati të pa-asgjësueshme bërthamore. Praktikisht të padukshme dhe pa asnjë zhurmë në thellësitë e oqeaneve, të shpejta dhe me armë bërthamore, detyra e nëndetëseve bërthamore amerikane ishte të qëndronin në gadishmëri, që në se Shtetet e Bashkuara goditeshin, kundërpërgjigja të ishte e fuqishme. Por tani synimi i këtyre nëndetëseve është vënë në pikëpyetje.

“Ne nuk kemi më nevojë për nëndetëse bërthamore që të patrullojnë Atlantikun në kërkim të nëndetësve me raketa balistike sovjetike. Lufta e Ftohtë ka përfunduar”, thotë Çarls Pena, Drejtor i Studimeve të Politikave të Mbrojtjes në Institutin Cato.

Ky vlerësim i zotit Pena në Uashington, nuk është aspak premtues për Bazën e Nëndetëseve Bërthamore, të vendosur buzë lumit Thames në brigjet lindore të Kënektikatit në oqeanin Atlantik. E njohur si kryeqyteti i nëndetëseve, në këtë bazë ka 18 nëndetësve bërthamore dhe ajo është baza më e madhe dhe më e vjetër e kësaj natyre në botë. Brenda saj ndodhet shkolla e vetme për nëndetëse e vendit dhe instituti i studimeve bërthamore të marinës për objeketet zhytëse.

Baza shtrihet në një sipërfaqe prej 270 hektarësh me 160 ndërtesa. Mbi 30 mijë civilë, kontraktues dhe personel ushtarak aktiv, së bashku me familjet e tyre, e kanë jetën të lidhur me të. Por çdo gjë është vënë në rrezik nga mundësia e mbylljes.

“Për Kënektikatin do të jetë e vështirë mbyllja e kësaj baze, por nga këndvështrimi strategjik, është e qartë se për të nuk ka më nevojë”, thotë zoti Pena.

Zoti Pena thotë se Lufta e Ftohtë, i la Shtetet e Bashkura me shumë baza ushtarake. Mbyllja e tanishme e bazave, thotë ai, nuk ka aq shumë të bëjë me kursimin e fondeve, se sa me përshtatjen strategjike ndaj një kërcënimi të ri: terroristëve, ekstremistëve dhe autorëve të sulmeve vetë-vrasëse.

“Lufta tani nuk drejtohet më ndaj shteteve. Ushtria si e tërë nuk është instrumenti më i efektshëm ndaj aktorëve të rinj që nuk janë shtet. Do të ketë raste që do të na duhen burimet ushtarake, por më shpesh do të duhen njësi të vogla, forca speciale. Rreziku terrorist nuk përballohet me operacione të mëdha ushtarake nga toka, deti ose ajri.”

“Ky është kërcënimi i ditës. 10 vjet më parë, para 11 shtatorit kishte kërcënime të tjera. Ato nuk janë zhdukur”, thotë Xhon Markovic i koalicionit për nëndetëset.

Xhon Markovic është kryetari i Koalicionit për Nëndetëset, që po përpiqet të shpëtojë bazën. Për komunitetet që rrethojnë këtë bazë në Kënektikat, ndikimi ekonomik i mbylljes së saj do të jetë i rëndë. Studime të kryera deri tani nga shteti i Kënektikatit lënë të kuptohet se mbyllja do t’i kushtojë rajonit 17 mijë vende pune dhe 1 presje 7 miliardë dollarë të ardhura humbje. Bud Fay është oficer në pension dhe afarist lokal.

“Të gjithë ne që kemi biznes këtu, do të goditemi rëndë.”

“Synimi i ushtrisë amerikane nuk është të mbajë gjallë ekonomitë lokale, por të mbrojë vendin nga kërcënimet”, thotë zoti Pena.

Përkrahësit e bazës thonë se nuk është thjesht çështja e ekonomisë lokale, por edhe kostoja e pastrimit të bazës mund të shkojë 170 milionë dollarë.

“Ajo ka qënë një zonë industriale, një bazë nëndetësesh për 100 vjet. Aty ka karburant, lëngje baterish, po ashtu është vendi ku lindi nëndetësja bërthamore në vitet 1954 – ’55, anijet bërthamore kanë shkuar aty prej një kohe të gjatë, për 20 vjet ato janë lejuar të shkarkojnë në këtë port”, thotë zoti Markovic.

Ngjitur me bazën e marinës ndodhet kompania General Dynamics Electric Boat, firma kryesore për projektimin, prodhimin dhe mirëmbajtjen e nëndetësve bërthamore të ushtrisë amerikane. Zëdhënësi i kësaj firme Neil Ruenzel thotë se kjo firmë nuk është e shqetësuar nga mbyllja e bazës.

“Ushtria amerikane do të ketë nevojë për nëndetëse bërthamore për sa kohë që ne të projektojmë të tilla. Ato janë pjesë përbërëse e sistemit të mbrojtjes dhe kryejnë misione që asnjë armë tjetër e ushtrisë në ajër ose në ujë, nuk mund t’i kryejë.”

Në fakt, nëndetëset bërthamore nuk do të hiqen nga arsenali. Në se merret vendimi përfundimtar për mbylljen e bazës në Kënektikat, shumnica e funksioneve të kësaj baze do të transferohen në baza të tjera në shtetet e Virxhinias dhe të Xhorxhias. Vendimi përfundimtar ende nuk është marrë dhe debati për mbylljen e bazave do të vazhdojë.

XS
SM
MD
LG