Lidhje

Petersen: bisedimet do të shkaktojnë kufizime në kthimin e të zhvendosurve dhe lirinë e lëvizjes për pakicat


Kryeadministratori Ndërkombëtar i Kosovës Sorren Jessen Petersen, pohoi sot në Prishtinë, se bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës do të shkaktojnë kufizime në kthimin e të zhvendosurve dhe lirinë e lëvizjes për pakicat.

Po sot, kryeministri Bajram Kosumi, pohoi zyrtarisht se “shumë pjesëtarë të komunitetit Serb pas luftës u detyruan të largohen si rezultat i frikës nga hakmarrja e qytetarëve shqiptarë pas regjimit të Millosheviçit”.

Kryeministri u tha banorëve serbë në një fshat të Rahovecit se e ardhmja e arsimimit të fëmijëve serbë në gjuhën amtare, e ardhmja e trashëgimisë kulturore e fetare dhe e ardhmja e të drejtave e të lirive të tyre kombëtare është e sigurt dhe se në Kosovën e re, ata do të jenë të sigurt dhe do të gëzojnë liri të plotë të lëvizjes.

Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Sorren Jessen Petersen, pohoi sot se bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës dhe mungesa e qartësimit të statusit përfundimtar, do të bëjnë që të ketë kufizime në përparimet në kthimin e të zhvendosurve dhe lirinë e lëvizjes për pakicat. “Është fakt se me afrimin e bisedimeve për statusin, disa cështje si kthimet, liria e lëvizjes janë më të vështira. Shumë të zhvendosur po presin për përfundimin e statusit, liria e lëvizjes, gjithashtu ndikohet nga mungesa e qartësisë për statusin. Mendoj se do të ketë kufizime në përparim derisa të qartësohet cështja e statusit, por kjo nuk duhet të shihet në asnjë mënyrë si justifikim për të mos punuar shumë për ndërtimin e një Kosove shumëetnike”, tha zoti Petersen.

Zoti Petersen pohoi gjithashtu se do të vizitojë përsëri Beogradin, por pa caktuar një datë për këtë. Ai do të vizitojë gjithashtu disa vende fqinjë të rajonit, përfshi Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Në një zhvillim tjetër, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, i cili vizitoi sot fshatin Zoqishtë të Rahovecit, pohoi se vitet e fundit kanë qenë të vështira për të gjithë qytetarët e Kosovës, “e në veçanti për komunitetin serb të Kosovës”.

Kryeministri pohoi gjithashtu se “shumë pjesëtarë të komunitetit Serb pas luftës janë detyruar të largohen si rezultat i frikës nga hakmarrja e qytetarëve shqiptarë pas regjimit të Millosheviçit”. Disa prej tyre kanë shkuar në Serbi disa janë zhvendosur në zona më të sigurta në Kosovë kurse disa janë nëpër vende të ndryshme.

Zoti Kosumi theksoi se të gjitha këto kanë qenë pasoja të luftës. Kryeministri u tha banorëve se qeveria e tij është e përkushtuar në krijimin e kushteve për kthim të të gjithë atyre që duan të kthehen në shtëpitë e tyre. “Ne nuk besojmë në fajësinë kolektive dhe ky është koncepti në të cilin ne po punojmë që si i tillë të pranohet nga të gjithë”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës vuri gjithashtu në dukje detyrimet që kanë anëtarët e pakicave në Kosovë, si bashkëpunimi me Institucionet e Kosovës dhe pjesëmarrja aktive në to. “Ardhmëria e Kosovës, në asnjë mënyrë nuk do të duhet dhe nuk do ti frikësojë serbët e Kosovës, pra as serbët e Zoqishtes”, u shpreh kryeministri Kosumi. Ai pohoi gjithashtu se e ardhmja e arsimimit të fëmijëve serbë në gjuhën amtare është e sigurt, se e ardhmja e trashëgimisë kulturore e fetare është e sigurt, se e ardhmja e të drejtave e të lirive të tyre kombëtare është e sigurt dhe se në Kosovën e re, ata do të jenë të sigurt dhe do të gëzojnë liri të plotë të lëvizjes.

Kryeministri Kosumi u ka kërkuar partive kryesore në vend të nënshkruajnë së bashku me të një letër përmes së cilës u bëhet thirrje serbëve të Kosovës që të përfshihen në procesin politik dhe në institucionet e vendit. Përmes kësaj letre, drejtuesit e institucioneve dhe udhëheqësit e partive politike, do të shprehnin gjithashtu gatishmërinë për krijimin e kushteve për kthimin e të zhvendosurve serbë në pronat e tyre.

XS
SM
MD
LG