Lidhje

Shpallja e rezultateve të pjesshme të zgjedhjeve nga KQZ i hap rrugën thirrjes  së parlamentit të ri shqiptar


Ndonëse kanë kaluar 44 ditë nga përfundimi i zgjedhjeve në Shqipëri rezultati zyrtar ende nuk ka dalë. Partia Demokratike, i ka bërë thirrje Presidentit të thërrasë parlamentin. Debatet në Shqipëri, në se Presidenti ka apo jo hapësirë ligjore për të thirrur parlamentin në këto kushte, kanë qënë nga më të ndryshmet.

Intervistë me Drejtorin Ekzekutiv të Studimeve Parlamentare në Shqipëri Sokol Berberi.

Zëri i Amerikës: Zoti Berberi, a mundet Presidenti ta thërrasë parlamentin e ri, cili është mendimi juaj?

Sokol Berberi: Mendoj që Presidenti në bazë të kushtetutës duhet të presë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Unë do ta krahasoja këtë me në një stafetë, ku të gjithë atletët presin njeri tjetrin dhe mund të lëvizin disa hapa, por pa kaluar kufirin, edhe Presidenti mund të lëvizë disa hapa, duke bërë takime, apo konsulta, por nuk mund të kalojë kufijtë që i ka përcaktuar kushtetuta. Pra presidenti duhet të presë për një dokument që vjen nga KQZ-ja, ku përcaktohet rezultati si nga sistemi mazhoritar, ashtu edhe nga pjesa proporcionale.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, në kushte të tilla, kur kanë kaluar 44 ditë nga zgjedhjet dhe kur pritet ende një raund i dytë votimesh më 21 gusht, me vonesat që mund të sjellë vetë ky raund, a nuk kemi të bëjmë me një periudhë të tejzgjatur deri në dalje të rezultatit, për të mbledhur parlamentin e ri?

Sokol Berberi: Mendoj se së pari dudhet të sqarojmë se ka një problem që lidhet me aspektin ligjor, pra me procedurat ligjore të ankimimit, në KQZ dhe në Kolegjin Zgjedhor dhe ka apekte të tjera që lidhen me zvarritje politike. Unë jam i qëndrimit dhe në konsultim që kemi zhvilluar me Presidentin e Republikës, kam qënë i qëndrimit, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duhet të japë një vendim, përsa i përket përfundimeve të rezultatit të zgjedhjeve të 3 korrikut, ku janë të përcaktuara mandatet e deputetëve që kanë dalë nga sistemi mazhoritar dhe mandatet e deputetëve të konfirmuara nga pjesa proporcionale. Për mandatet që lidhen me sistemin proporcional, të cilat preken dhe nuk janë të konfirmuara, përsa i përket zgjedhjeve që do të përsëriten më 21 gusht në 3 zona, mendoj që KQZ nuk mundet t’i deklarojë.

Zëri i Amerikës: A mundet KQZ-ja t’i deklarojë, kjo është ajo që ka kërkuar edhe një anëtar i KQZ-së, një deklarim të pjesshëm të rezultateve të deritanishme?

Sokol Berberi: Duke bërë një gjykim proporcional, ose duke bërë një interpretim të Kushtetutës, por për të mos krijuar një bllokim dhe një vazhdimësi e zvarritje të procesit zgjedhor dhe një bllokim të thirrje së kuvendit, unë do të thosha, që së pari KQZ-ja, në bazë të rezultateve që kanë dalë nga zgjedhjet e 3 korrikut, të deklarojë deputetët që kanë fituar nga sistemi i drejtëpërdrejtë dhe mandatet që konfirmohen nga sistemi proporcional. Në bazë të këtij vendimi, Presidentit të Republikës, i lind e drejta të vlerësojë, që në bazë të përbërjes së dalë nga këto rezultate të 3 korrikut, duke lënë mënjanë zgjedhjet që do të zhvillohen më 21 gusht, pra të vlerësojë në se ekzistojnë kushtet e nevojshme për të bërë thirrjen e parlamentit dhe për të bërë një vazhdimisë normale të kuvendit në fillim të legjislaturës së tij. Ndërkohë, duhet patur parasysh që vazhdon ekoma, me sa jam i informuar, Kolegji Zgjedhor, vazhdon të shqyrtojë një ankim, për një zonë zgjedhore, e cila nuk ka përfunduar ende. Pra KQZ-ja, duke iu përmbajtur Kodit Zgjedhor, duhet të presë edhe këtë zonë dhe më pas, në përfundim të një procesi për zgjedhjet e 3 korrikut, Komisioni Qendror mund të japë një vendim për rezultatet, duke përfshirë këtu edhe përqindjen e zgjedhjeve në 3 zona.

Zëri i Amerikës: Pra një vendim të pjesshëm që mund t’i japë hapësirë ligjore presidentit për të vepruar më tej për të thirrur parlamentin?

Sokol Berberi: Po

Zëri i Amerikës: A mendoni se ka vend për ndryshim të ligjeve, qoftë në Kunshtetutë, qoftë në Ligjin Elektoral që të shmangen situata të ngjashme në të ardhmen?

Sokol Berberi: Patjetër. Kuptohet që duke parë këtë praktikë, këtë eksperiencë dhe problemet që janë krijuar, mendoj që ka nevojë të ndryshohen disa elementë, duke filluar si nga aspekti i formulës zgjedhore, gjithashtu edhe nga pikëpamja e procedurës së procesit. Kuptohet që këto i përkasin analizës dhe gjithmonë janë në raport me atë që kërkohet, pra çfarë efektesh do të sjellë sistemi dhe procedurat ligjore, të cilat kanë efekte si nga pikëpamja e procedurave, por edhe nga pikëpamja e rezultatit politik, e sistemit politik, e stabilitetit politik, pra do të thosha, që analiza do të jetë diçka më e thellë, për të përfshirë të gjitha këto çështje.

XS
SM
MD
LG