Lidhje

Kolonët izraelitë sfidojnë vendimin për t’u larguar nga Gaza


Televizioni izraelit bëri të ditur se qindra trupa dhe policë të paarmatosur kanë hyrë në vendbanimin më të madh izraelit të Rripit të Gazës dhe po u kërkojnë banorëve të largohen ndërkohë që po afrohet afati i mesnatës.

Gjenerali Dan Harsel tha se ata banorë të Neve Dekalimit që refuzojnë të largohen vullnetarisht do të dëbohen me forcë nesër në mëngjes, ndërsa Izraeli po vepron për të shpërngulur nga Gaza 8 mijë e 500 kolonë gjatë tri javëve të ardhshme.

Sot më herët, forcat izraelite të sigurisë ndërhynë me forcë në vendbanimin hebraik për t’i hapur rrugën kamionëve që do të transportojnë plaçkat e banorëve, që kanë pranuar vullnetarisht të largohen. Të paktën 50 persona që protestonin ndaj urdhërave të qeverisë u arrestuan.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Shaul Mofaz, tha se pret që të paktën gjysma e kolonëve të Gazës të largohen qetësisht. Ai paralajmëroi gjithashtu se ata që do të rrezistojnë do të humbasin disa nga kompensimet qeveritare.

Në vendbanimin Netzar Hazani në pjesën jugore të Rripit të Gazës një pjesë e njerëzve po i nënshtrohet vendimit për tërheqje, kurse disa të tjerë po i kundërvihen atij qetësisht. Deri në orën 7 të mengjesit të së martës 10-12 burra, shumica të rinj filluan lutjet e tyre pranë një sinagoge. Lutjet e sotme kishin tone veçanërisht të tensionuara dhe njerëzit shpresojnë që në njëfarë mënyre besimi i tyre i fortë të ndihmojë që vendbanimet të shpëtohen dhe të mos prishen.

Netzar Hazani është njëri ndër vendbanimet e para të kolonëve izraelitë dhe aty janë vendosur 80 familje. Anita Tucker është njëra prej njerëzve që jetojnë atje. E lindur në New York, Anita ka shkuar atje në vitin 1976 bashkë me burrin e saj dhe 3 fëmijë të vegjel. Ajo e pranon se ka shumë mundësi që të detyroeht të largohet, por ajo ende shpreson që kjo të mos ndodhë.

“Deri të premten e kaluar kam shitur 150 kuti me nga 20 fidane selino. Të premten mbolla përsëri. Kam mbjellë 10 mijë fara selino-je. Disa njerëz mund të mendojnë se jam e çmendur, por edhe 2 muaj më parë njerëzit më thonin të njëjtën gjë por unë munda t’i shes ato që mbolla. Pra, unë jam një ndër ata pak njerëz që akoma po fitojnë para dhe askush nga ne nuk e di se ku dhe si do të jetojmë 2 muaj më vonë.”

Ky vendbanim është koloni fetare dhe bujqësore dhe zonja Tucker mburret me perimet që ajo kultivon në një vend që ajo thotë se kur erdhi në fillim nuk kishte gjë tjetër veçse duna rëre të zhveshura. Një familje nga ky vendbanim tashmë është është larguar dhe thuhet se 16 të tjera janë gati për t’u nisur para afatit të caktuar. Por Anita dhe disa të tjerë nuk duan të largohen.

“Ne po bëjmë ç’është e mundur në mënyrë paqësore që shpërngulja të mos të ndodhë.”

Familjet e këtushme e pranojnë pa mëdyshje se po marrin një farë ndihme nga jashtë. Ato thonë se mbi dy mijë vizitorë, shumica adoleshentë, kanë ardhur për t’i ndihmuar që t’i rezistojnë evakuimit. 17-vjeçari Moshe Geita erdhi këtu para dy muajsh nga qyteti Ramle, afër Tel Avivit.

“Në radhë të parë, libri i shenjtë hebraik, Tora, thotë se ky është vendi ynë – Izraeli. Së dyti, nuk më duket e drejtë që ta nxjerrësh dikë nga shtëpia ku banon. Njerëzit banojnë këtu që prej 20 vjetësh. Kur ata erdhën, këtu kishte vetëm shkretëtirë. Pra, nuk është e drejtë”, thotë Moshe Geita.

Anita Tucker mendon se plani i kryeministrit Ariel Sharon për të evakuuar 21 vendbanime hebraike në Gazë dhe 4 të tjera më të vogla në Bregun Perëndimor është diçka e pamoralshme dhe ajo nuk e beson argumentin e tij se evakuimi është i domosdoshëm. Ajo nuk beson as thëniet se tërheqja do të sjellë siguri dhe paqe më të qëndrueshme.

XS
SM
MD
LG