Lidhje

SHBA: Pentagoni në qendër të debatit për informacionin mbi lidhjet e rrëmbyesve të 11 shtatorit me al-Kaidën


Thuajse katër vjet pas sulmeve të 11 shtatorit, po shtrohet pyetja nëse zyrtarët e Pentagonit kishin dijeni për lidhjet e rrëmbyesve me al-Kaidën, që një vit para sulmeve. Një anëtar i Kongresit amerikan, mendon se këto lidhje diheshin dhe pretendon se komisioni i 11 shtatorit nuk e kishte përfshirë këtë informacion në raportin e vet.

Anëtari i Kongresit, republikani Curt Weldon, ka kritikuar departamentin e mbrojtjes se nuk i kishte dhënë informacion zbulimi për disa të dyshuar për terrorizëm FBI-së. Ai thotë se Pentagoni nuk kishte raportuar mbi informacione kyçe për Mohammed Attën dhe tre rrëmbyes të tjerë para 11 shtatorit.

“Jam i bindur se nëse do t’i kishim kapur ata katër udhëheqës të al-Kaidës, që u vranë në sulmet e 11 shtatorit, dhe nëse FBI-ja do të ishte lejuar t’i hetonte ata me hollësi, ndalimi i tyre do të kishte ndryshuar rrjedhën e 11 shtatorit, mbase duke e vonuar, ose mbase edhe duke e parandaluar fare”.

Sipas zotit Weldon, një ekip sekret i Komandës Amerikane për Operacione Speciale, u krijua në vitin 1999 për të identifikuar operativë të mundshëm të al-Kaidës. Ai thotë se ky grup kishte informacion për zotin Atta dhe lidhjet e tij me al-Kaidën një vit para sulmeve.

Zoti Weldon thotë se kur kjo ekipi sugjeroi që informacioni t’i kalonte FBI-së, nuk u lejua nga juristët e Departamentit të Mbrojtjes që druheshin se mos shkeleshin ligjet për jetën private të shtetasve amerikanë dhe të të huajve që ndodhen ligjërisht në Shtetet e Bashkuara, siç ishte Atta.

Zoti Weldon e quan këtë një mbrojtje të dobët. Christopher Preble, drejtor për politikën e jashtme në Institutin Cato, një organizatë studimore në Washington, thotë se argumenti i zotit Weldon qëndron.

“Arsyetimi i tij është i drejtë përsa i takon këmbimit të informacionit dhe duke patur parasysh këtë rast, është e qartë se informacioni duhet të jepet e merret më lirisht mes agjencive, sesa para 11 shtatorit”.

Zoti Weldon ka kritikuar gjithashtu anëtarët e komisionit të 11 shtatorit se nuk e përfshinë këtë informacion në raportin e tyre që doli më 22 korrik 2004, por profesori Preble thotë se Komisioni kishte arsyet e veta.

“Nuk përputhej plotësisht me shumë informacione të tjera që ata po merrnin. Kështu që ka mundësi që pasi ishte hartuar raporti, informacioni rezultoi të ishte korrekt, por në fillim nuk përputhej me mënyrën sesi e kishin konceptuar ata raportin”.

Duke reaguar ndaj ankesave të zotit Weldon, një zëdhënës i Komisionit të 11 shtatorit e pranoi se 10 ditë para se të dilte raporti, ishte zhvilluar një takim me një zyrtar ushtarak lidhur me identifikimin e zotit Atta nga ana e ekipit të zbulimit. Megjithatë Komisioni tha se informacioni nuk ishte aq i besueshëm saqë të vendosej rishikimi i raportit.

Zoti Weldon i ka shkruar një letër komisionit, duke i kërkuar që ta shqyrtojë çështjen më hollësisht. Po ashtu edhe edhe anëtarë të Komisionit të Senatit për Zbulimin po merren me shqyrtimin e kësaj çështjeje.

XS
SM
MD
LG