Lidhje

Ndikimi i rritjes së çmimeve të naftës në ekonominë globale


Çmimet e naftës arritën përsëri rekorde të reja. Çmimi për një fuçi nafte është tani 50 përqind më i lartë sesa gushtin e kaluar. Çmimi për një fuçi nafte të papërpunuar arriti gati në 67 dollarë, duke iu afruar çmimit rekord të përshtatur në përputhje me inflacionin prej 80 dollarësh për fuçi që arriti në vitin 1979, pas revolucionit iranian.

Vahan Janjigian analizon industrinë e naftës për Institutin e Investimeve Forbes. Ai thotë se ka disa faktorë që kontribuojnë në këtë fryrje të çmimit të naftës.

"Jemi në një situatë të tillë ku konsumojmë gjithçka prodhohet, ka pak rezerva dhe kjo çështje bëhet shumë më serioze. Ka shqetësime për sigurinë në Arabinë Saudite. Ka paqëndrueshmëri politike në Irak dhe Venezuelë, në Nigeri dhe tani në Iran, një tjetër prodhues i rëndësishëm. Pra të gjitha këto shkaktojnë shqetësime”, thotë ai.

Rifillimi i programit bërthamor të Iranit javën e kaluar kishte një efekt negativ tek tregëtarët e naftës që shqetësohen nga një ndikim i mundshëm në furnizimet nga prodhuesi i dytë më i madh i OPEC-ut në se Kombet e Bashkuara do të përgjigjen me sanksione kundër Iranit i cili mban 10 përqind të rezervave botërore të naftës.

Mungesa e prodhimit dhe e kapaciteteve të rafinimit ka kontribuar gjithashtu në rritjen e çmimeve. Që nga 20 korriku, 14 ndërprerje në rafineritë amerikane të naftës shtuan spekullimet se furnizimet nuk do të ishin të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat.

Disa analistë kanë parashikuar se nafta ka të ngjarë ta kalojë çmimin e 70 dollarëve për fuçi në se vazhdojnë problemet e rafinimit dhe tensionet në Lindjen e Mesme.

Ky është lajm i mirë për ekportuesit e naftës si Irani i cili ka llogaritur tashmë të ketë të ardhura prej 43 miliardë dollarësh nga eksporti i naftës këtë vit, shuma më e madhe kjo që kur ky vend filloi ekportimin e naftës 98 vjet të shkuara.

Rusia merr 1 presje 4 miliardë dollarë më shumë në të ardhura për çdo dollar rritje të çmimit të naftës për fuçi. Ekspertët e konsiderojnë ekonominë ruse të jetë tepër e varur tek nafta dhe të pambrojtur ndaj ndryshimeve në çmimet e energjisë, por tani për tani e ardhmja e ekonomisë ruse duket e ndritur.

William Cline, ekonomist në Qendrën për Zhvillimin Global këtu në Washington thotë se sfida për disa vende është mënjanimi i korrupsionit. Ai thotë se shembull për këtë është Nigeria, ku fondet e naftës janë përvetësuar nga zyrtarët e korruptuar qeveritarë.

Vende të tjera si Venezuela e përdorin shtesën në buxhet për të fituar influencë politike.

“Do të ishte ideale që vendet eksportuese të naftës me këto çmime të larta t’i përdornin të ardhurat për të shlyer borxhet që kanë mbi supe nga e kaluara. Por kjo nuk ndodh pasi ka tundim të madh për t’i përdorur ato për arritjen e objektivave politike afatshkurtra. Në rastin e Venezuelës, për shembull, pati shumë nisma si për blerjen e një pjese të borxhit të Argjentinës e cila ka falimentuar nga shumë borxhe të papaguara apo nga Ekuadori në shenjë solidariteti politik. Ka disa programe sociale që mund të mos jenë të përshtatshme. Për vendet prodhuese të naftës në përgjithësi ka qënë gjithmonë sfidë shfrytëzimi me zgjuarsi i viteve të mbara për naftën në mënyrë të vazhdueshme”, thotë zoti Cline.

E ndërsa vendet prodhuese të naftës pasurohen, konsumatorët ndjejnë efektin e rritjes së çmimeve jo vetëm të naftës por edhe të shumë produkteve me bazë nafte. Dhe çmimet e larta të naftës kanë ndikim të madh në vendet në zhvillim që janë importuese të naftës pasi ato zakonisht nuk kanë një monedhë të qendrueshme apo rritje ekonomike për të thithur shokun që vjen nga rritja e çmimeve të naftës.

Zoti Cline thotë se çmimet e larta të naftës i bënë analistët nervozë për të ardhmen e ekonomisë globale. Por ai vetë është optimist se ndikimi i çmimeve të larta nuk është aq negativ sa ç’mund të ishte.

“Nuk mendoj se janë kushtet për një skenar të errët. Megjithatë shtrohet me të drejtë pyetja në se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë sa duhet për të lehtësuar varësinë e madhe nga importi i naftës, për të shkuar drejt përdorimit të burimeve të reja të energjisë, ndërsa prodhuesit kanë patur përballë sfidën për t’i përdorur si duhet burimet”.

Zoti Cline thotë se prova reale në se çmimet e larta këtë verë do të vazhdojnë të kenë ndikim do të duket pas gjashtë muajsh. Tani për tani ekonomia globale duket t’i ketë përballuar çmimet e larta. Fondi Monetar Ndërkombëtar vazhdon të parashikojë një rritje globale më të madhe se 4 përqind këtë vit dhe tjetrin.

XS
SM
MD
LG