Lidhje

Oliver Twisti kthehet në personazh filmi, ndërsa Yo-Yo Ma arrin një sukses të ri


Pamjet e konfliktit të Lindjes së Mesme duken shpesh si lajmi i radhës, por kur vuajtja njerëzore ngrihet në art, ajo shfaq pamjen e vet më njerëzore. Një rast i tillë është një dramatizim i realizuar nga disa adoleshente palestineze. Ndërkohë një film i ri, risjell një personazh klasik të Çarls Dikensit, një album me këngë të preferuara të Bill Clintonit del së shpejti dhe violonçelisti Yo-Yo Ma arrin një sukses të ri.

Ana tjetër e konfliktit të Lindjes së Mesme

Rrugët e Betlehemit që mbajnë mbi shpinë shenjat e konfliktit izraelito-palestinez, nuk kanë asgjë të përbashkët me festivalin ndërkombëtar të arteve Fringe, që po mbahet në Edinburg të Skocisë. Por një shfaqje e pazakontë sikur ka vendosur një urë mes dy qyteteve. Shfaqja quhet Ditaret tona përtej murit dhe në tregohet jeta e një grupi vajzash adoleshente palestineze nga Betlehemi në Bregun Perëndimor. Pjesa është shkruar dhe vënë në skenë nga vetë vajzat me moshë nga 15 deri në 17 vjeç, nxënëse të shkollës Terra Santa për Vajza . Fillimisht shfaqja ishte një projekt i tyre për lëndën e anglishtes, ku ato shprehnin mendimet dhe ndjenjat e tyre për jetën nën tingujt e të shtënave në Territoret e Pushtuara. Rrëfimet e tyre janë përfshirë tani në një libër dhe versioni i dramatizuar po shfaqet në Edinburg.

Roman Polanski sjell nga shekulli i 19-të Oliver Twistin

Regjisori Roman Polanski ka vendosur të nxjerrë nga pluhuri i Londrës së shekullit të nëntëmbëdhjetë një nga personazhet më të njohura të Charles Dickensit dhe ta veshë me shkëlqimin e Hollivudit. Bëhet fjalë për Oliver Twistin, banditin e vogël të Londrës. Polanski bashkëpunoi me shkrimtarin Ronald Harwood, për të rikrijuar personazhin, që do të jetë në qendër të filmit. Oliveri, një jetim i braktisur, interpretuar nga Barney Clark detyrohet të jetojë në një shtëpi ku punojnë djem të rinj, që mbikqyren në çdo moment nga zoti Bumble që u pakëson atyre deri edhe racionet e ushqimit. Por kur Oliveri largohet fshehtas dhe gjendet vetëm në rrugët e Londrës, ai joshet në botën e krimit nga Fagini, një bandit djallëzor, i interpretuar nga Ben Kingsley që drejton një bandë hajdutësh të vegjël xhepash. Kur një zotëri zemërmirë, Bronlow e shpëton Oliverin, ky i fundit beson se ka gjetur më në fund një shtëpi të ngrohtë dhe një jetë të ndershme.

Së shpejti në treg koleksioni me këngët e preferuara të Bill Clintonit

Bill Clintoni është cilësuar si presidenti i Rock and Rollit dhe adhurimi për të i ngjan atij të admiruesve të yjeve të Hollivudit. Tani ish-presidenti do të ketë një disk muzikor, por çuditërisht pa rock and roll. Organizatorët thonë se disku do të titullohet: Koleksioni i Bill Clintonit: Përzgjedhje nga Dhoma muzikore e Clintonit dhe është i pari në një seri disqesh me muzikën e preferuar të ish-Presidentit. Fondacioni Presidencial Clinton ka muaj që përpiqet për të siguruar të drejtat për të përfshirë disa nga këngët. Tani procesi ka përfunduar dhe ka filluar puna për prodhimin në masë të diskut me 11 këngë, që përgjithësisht janë një përzierje jazzi të lehtë me Miles Davis, Nina Simonen dhe një variant i kënduar drejtpërdrejt i këngës Chelsea Morning, që e shtyu atë t’i vinte emrin vajzës së tij. Koleksioni mund të mos jetë ajo që pritet nga Clintoni, pamja e të cilit duke i rënë saksofonit është bërë aq e njohur. Disku pritet të dalë nos shitje pas rreth një muaji dhe fitimet do të përdoren për bamirësitë me të cilat është angazhuar fondacioni Clinton.

Yo-Yo Ma edhe një herë në krye të klasifikimit

Minutat e fundit i kemi rezervuar sot për artdashësit e muzikës klasike. Violonçelisti Yo-Yo Ma me albumin e tij të 88-të dhe të fundit Udhëtimet e Rrugës së Mëndafshtë: Përtej Horizontit, është rikthyer në krye të tabelës së klasifikimit për muzikën klasike. Albumi i fundit dallohet nga lloji i muzikës klasike i të mëparshmëve. Emri është marrë nga një rrugë e lashtë tregëtare që ende lidh tre kontinente. Muzika e grupit përfshin tinguj perëndimorë me ato lindorë. Yo-Yo Ma ka lindur në Paris, bir i dy emigrantëve kinezë. Ai u rrit në Amerikë, ku bashkëpunimi i tij me botën e muzikës pop, kanë bërë që muzika klasike të marrë forma nga më të befasishmet. Ai ka albume me këngëtarin Bobby McFerrin, ndërsa në ceremoninë e dhënieve të çmimeve Grammy në vitin 2003, ai shoqëroi mikun e tij James Taylor për këngën Sweet Baby James. Një aspekt tjetër ku ai ka dhuruar talentin e tij janë shfaqjet për fëmijë. Muzikanti 49 vjeçar mbretëron me numrin e disqeve të shitura, përfshirë Yo-Yo Ma interpreton muzikën e Ennio Morricones, Vivaldi në Violonçel dhe Albumi i Dvorzhakut.

XS
SM
MD
LG