Lidhje

Të rejat ekonomike


Këtë javë, zyrtarët amerikanë dhe ata kinezë patën debate mbi çështje të tregtisë së tekstileve, ekspertët komentuan rreth ndikimit të rritjes së çmimeve të naftës mbi ekonominë dhe analistët folën rreth përpjekjeve të Irakut për të vënë në lëvizje ekonominë e tij që është në gjendje të vështirë.

Mosmarrëveshje mes Pekinit dhe Uashingtonit për eksportet e tekstileve

Ministria kineze e tregtisë thotë se midis Pekinit dhe Uashingtonit vazhdon të ketë mosmarrëveshje me rëndësi lidhur me eksportet e tekstileve, pas bisedimeve të zhvilluara këtë javë.

Zyrtarët kinezë thonë se shpresojnë të arrijnë marrëveshje në bisedimet që do të zhvillojnë më vonë. Takimet u përqendruan te kufizimet amerikane për importet kineze të tekstileve, kufizime që synojnë mbrojtjen e prodhuesve amerikanë nga konkurrenca.

Kompanitë amerikane të tekstileve kanë humbur 26 mijë vende pune si pasojë e importeve të lira që vijnë nga Kina.

Por shitësit me pakicë në Shtetet e Bashkuara thonë se kufizimet e mëdha mbi mallrat e lira kineze të importit mund t’u kushtojnë konsumatorëve amerikanë 6 miliard dollarë në shpenzimetg e tyre vjetore për veshje.

Ndikimi i çmimeve të naftës në ekonominë amerikane

Ekspertët po debatojnë mbi ndikimin negativ që mund të kenë çmimet e larta të naftës në ekonominë amerikane.

Një raport i ri mbi parashikimet e rritjes ekonomike tregon se në gjashtë muajt e ardhshëm do të ketë një ngadalësim të ritmeve, që sipas analistëve do të jetë pasojë e rritjes së çmimeve të naftës.

Wal-Mart-i, rrjeti më i madh botëror i shitjes me pakicë, uli parashikimet e tij të fitimeve për këtë vit për shkak se rritja e çmimit të benzinës do t’i bëjë konsumatorët të shpenzojnë më pak.

Por analistë të tjerë thonë se rritja e çmimeve të naftës çuditërisht ka patur pak efekte negative. Ata thonë se ekonomia amerikane e përdor tani energjinë më me efikasitet se sa gjatë krizave të naftës në vitet 70.

Shqetësime për rimëkëmbjen ekonomike të Irakut

Ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar thonë se dhuna e kryengritësve e ka ngadalësuar rimëkëmbjen ekonomike të Irakut dhe i ka shtuar shpenzimet për zhvillimin në Irak me rreth një të tretat gjatë vitit të fundit.

Raporti i së martës është vlerësimi i parë në 25 vjet që huadhënësit botërorë i bëjnë ekonomisë irakiane.

Zyrtarët e FMN-së thanë se Bagdati duhet të heqë subvencionet për benzinën, t’i shpenzojë fondet qeveritare me kujdes dhe të ndërtojë një sistem më të mirë financiar.

Sipas FMN-së, prodhimi i naftës, shtylla e ekonomisë irakiane, është rigjallëruar fuqishëm, por është ende nën nivelet që zyrtarët parashikonin të arrinin.

XS
SM
MD
LG