Lidhje

Kosovë: I dërguari i OKB-së thotë se çështja e kthimit të të zhvendosurve duhet trajtuar me kujdes


I dërguari i Kombeve të Bashkuara për standartet, Kai Aide, tha sot në Prishtinë se procesi i kthimit të të zhvendosurve, duhet të bëhet me fleksibilitet. Zoti Aide i bëri këto komente pas takimit me ministrin për kthim dhe komunitete, Sllavisha Petkovic, i cili nënvizoi se kthimi nuk është thjesht çështje standarti, por e drejtë njerëzore. Po sot, kryeadministratori ndërkombëtar Jessen Petersen, e bëri të qartë, pas takimeve me udhëheqësit vendorë, se Kosova nuk ka nevojë për dy palë grupe pune për përgatitjen e bisedimeve për statusin përfundimtar të saj.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për vlerësimin e plotësimit të standarteve të vëna nga bashkësia ndërkombëtare për Kosovën, ambasadori Kai Aide, kërkoi sot në Prishtinë fleksibilitet në çështjen e kthimit. Ambasadori Aide pohoi pas takimit me ministrin për kthim dhe komunitete Sllavisha Petkovic, se ka një numër sfidash që lidhen me këtë çështje.

“Duhet të tregojmë fleksibilitet për t’i pasur këtu ata që duan të kthehen. E dimë gjithashtu se kthimi është një proces teknik, duhet të trajtohen një numër gjërash të tjera si ligji dhe rregulli, arsimimi. Duhet të shkojmë përpara në një numër frontesh, po kështu të gjithë duhet të bëjmë më të mirën që mundemi për të dhënë sinjalet e duhura politike. Sigurisht që në këtë aspekt, udhëheqësit politikë kanë një përgjegjësi shumë serioze. Sigurisht që është një çështje sigurie në terren. Është gjithashtu një çështje e klimës politike atje. Udhëheqësit politikë edhe në këtë aspekt kanë një përgjegjësi shumë serioze. Është e nevojshme që të takohen të zhvendosurit dhe ata që duan të kthehen”, tha zoti Aide.

Ambasadori Aide pohoi gjithashtu se është e rëndësishme që të vendoset një dialog i kthjellët që mund të krijojë besim. Ai tha se kishte biseduar për çështjen e decentralizimit dhe se do të diskutojë këtë çështje në hollësi ditët e ardhshme, me kryeministrin, ministrin Lutfi Haziri dhe përfaqësuesin serb Oliver Ivanoviç. Ministri Petkovic, pohoi se biseda me zotin Aide ishte përqëndruar në pjesën më të madhe të kohës në procesin e kthimit të të zhvendosurve.

“Biseduam për procesin e kthimit në pjesën më të madhe të kohës, sesi të gjitha palët e ineteresuara të vihen në funksion të tij, jo sepse është standard, por sepse është e drejtë njerëzore që të kthehen. Diskutuam sesi mund të ndihmojë bashkësia ndërkombëtare për këtë, unë si ministër dhe qeveria. Ramë dakord se ka ende punë për të bërë, kjo është normale. Ramë dakord që siguria është më e mirë, por jo 100 përqind. Në parim, them përsëri se gjeja kryesore është që procesi i kthimit duhet të vazhdojë dhe që të gjithë duhet të përfshihemi në proces, bashkësia ndërkombëtare, qeveria edhe në Beograd edhe në Kosovë, dhe të gjitha organizatat që gjenden në territorin e Kosovës”, tha zoti Petkovic.

Ndërkohë që ambasadori Aide po e përfundon këtë vizitë në Kosovë, shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, u takua sot me udhëheqësit kryesorë vendorë, presidentin Rugova, kryeministrin Kosumi dhe kryetarin e Partisë Demokratike në opozitë, Hashim Thaçi. Kryeministri Kosumi pati kërkuar fillimisht krijimin e grupeve të punës nga qeveria për përgatitjen e bisedimeve për statusin, më pas kërkoi që qeveria të emërojë bashkërenduesin e tyre. Zoti Petersen theksoi se Kosova duhet të fillojë të veprojë me përgatitjet për bisedimet për statusin.

“Nuk mendoj se ndokush këtu ka kohë apo energji, për të pasur dy grupe pune per të njëjtën çështje. Kjo nuk është meqë ra fjala, koment për atë që ka sugjeruar kryeministri, kemi një mundësi me forumin politik këtu ku jemi, me të gjitha partitë politike të pranishme, për të parë këto ide dhe për të parë sesi mund të merren vendimet më të mira në mënyrë që Kosova të fillojë të veprojë me përgatitjet për statusin”.

Kryetari i Partisë Demokratike Hashim Thaçi theksoi se edhe vetë partia e zotit Kosumi, AAK, nuk është e interesuar të fragmentarizojë pa arsye skenën politike në Kosovë. Po sot, pasdite vonë, kryeadministratori Jessen Petersen u takua me presidentin Ibrahim Rugova në rezidencën e tij.

XS
SM
MD
LG