Lidhje

Presidenti Bush përpiqet të ringjallë mbështetjen për luftën në Irak


Presidenti Bush shpreson të ringjallë mbështetjen e rënë për luftën në Irak duke bindur amerikanët se trupat amerikane që luftojnë jashtë po e bëjnë vendin më të sigurt. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë Scott Stearns njofton se opozitarët demokratë thonë se qëndrimi i presidentit ndaj çështjes së Irakut do të shkaktojë më shumë viktima.

“Trupat tona e dinë se ata luftojnë në Irak, Afganistan dhe vende të tjera për të mbrojtur bashkë-kombasit e tyre nga një armik i egër. Ata e dinë, se nëse ne nuk i luftojmë këta njerëz të këqij jashtë vendit, do të na duhet t’i luftojmë në qytetet dhe rrugët tona, dhe se siguria e çdo amerikani është në rrezik në këtë luftë. Ata e dinë gjithashtu se ne do t’ia dalim,” tha presidenti.

Presidenti Bush ka planifikuar një varg takimesh gjatë javës që vjen të cilat synojnë të sigurojnë më shumë mbështetje për luftën në Irak në një kohë kur anketat e opinionit tregojnë se më pak se 40 përqind e amerikanëve janë dakord me mënyrën se si po e trajton ai luftën.

Presidenti Bush do të vizitojë trupat e Gardës Kombëtare në shtetin perëndimor të Idahos, dhe do të bëjë një vizitë në një bazë të forcave ajrore, para se të mbajë fjalim në një konventë të Veteranëve të Luftrave të Huaja për t’i falënderuar ata për shembullin fisnik të përkushtimit dhe kurajos që u japin trupave të tanishme.

Presidenti pastaj do të kthehet në fermën e tij në Teksas, ku aktivistët kundër luftës vazhdojnë protestën e filluar nga nëna e një ushtari të vrarë në Irak.

Presidenti Bush nuk i përmendi drejtpërdrejt këto protesta në fjalimin e tij të përjavshëm në radio. Megjithatë, ai shprehu nderim për rreth 2 mijë ushtarët e vrarë në Irak, për të cilët tha se kishin dhënë jetën për të mbrojtur bashkë-kombasit e tyre dhe për t’u sjellë shpresë dhe liri miliona njerëzve.

Në fjalimin e demokratëve në radio , ish senatori nga Xhorxhia Max Cleland tha se presidenti Bush ishte gabuar kur kishte ekzagjeruar sukseset e luftës duke thënë se misioni ishte kryer dhe se betejat kryesore kishin përfunduar.

“Koha po kalon. Na duhet një strategji për të fituar në Irak, ose një strategji për t’u larguar. Rruga e tanishme do të na çojë drejt shkatërrimit. Po të vazhdojmë kështu do të derdhim më shumë gjak në shkretëtirë,” tha ish senatori demokrat”.

Si veteran që ka humbur krahun dhe dy këmbët në Vietnam, ish senatori Cleland thotë se ai i ka parë pasojat që mund t’u sjellë lufta trupave amerikane dhe vendit.

Presidenti Bush tha se nuk mund të caktohet një afat për tërheqjen e trupave nga Iraku, sepse kjo do të dërgonte mesazhin se Shtetet e Bashkuara janë një vend i dobët.

XS
SM
MD
LG