Lidhje

Papa Benedikti: “Të krishterët dhe myslimanët duhet të punojnë së bashku për të mposhtur terrorizmin”

  • Sabina Kastelfranko

Papa shfrytëzoi takimin e tij me udhëheqës myslimanë nga komuniteti turk i Gjermanisë për të theksuar shqetësimet rreth përhapjes së terrorizmit. Ai tha se terrorizmi po mbjell vdekje e shkatërrim dhe po shkakton pikëllim e dëshpërim për shumë njerëz.

Udhëheqësi shpirtëror i Kishës Katolike tha se nuk ka dyshim se ata që nxisin dhe planifikojnë sulme të tilla, dëshirojnë të helmojnë marrëdhëniet midis të krishterëve dhe myslimanëve.

Ai theksoi se nëse dëshirojnë të jenë të kenë rezultat në përpjekjet për të kthyer prapa valën e terrorizmit, të krishterët dhe myslimanët së bashku duhet të zhdukin mëllefin e inatin dhe të kundërshtojnë mungesën e tolerancës e dhunën.

Papa Benedikti i Gjashtëmbëdhjetë tha se kjo është një detyrë shumë e vështirë, por jo e pamundur. Ai theksoi se udhëheqësit myslimanë kanë përgjegjësinë e madhe të edukojnë siç duhet brezat e tyre të rinj.

Ai tha se ata duhet ta udhëheqin brezin e ri drejt besimit të vërtetë islam. “Këtu, tha Shenjtëria e Tij, nuk ka vend për plogështi apo mosangazhim, e, madje, edhe më pak për anësi dhe sektarizëm.” “Ne nuk duhet të gjunjëzohemi para frikës e shtypjes, por duhet të kultivojmë optimizmin dhe shpresën.”

Udhëheqësit myslimanë shprehën kënaqësi pas takimit. Kryetari i Bashkimit Islam Turk tha se pjesëmarrësit në takim shprehën mbështetje për qendrimin e papës. “Me këtë platformë të përbashkët, tha ai, ne mund ta luftojmë terrorizmin së bashku.”

Gjermania është një nga vendet me popullsinë më të madhe myslimane në Evropë, me rreth 3 milionë e 500 mijë. Papa tha se dëshëronte të tahohej me udhëheqës të komunitetit mysliman në Gjermani, ku ai ishte lindur, kishte studiuar dhe kishte kaluar një pjesë të mirë të jetës së tij.

Kardinali gjerman, Karl Lehman, tha pas takimit se gjatë bisedimeve midis Papës dhe udhëheqësve myslimanë të Gjermanisë mbretëroi një klimë paqësore e miqësore: “Ati i Shenjtë, tha Kardinali Lehman, e bëri të qartë se ky dialog ndërfetar dhe ndërkulturor midis të krishterëve dhe myslimanëve është me rëndësi jetike.”

Takimi i Papës Benedikti i Gjashtëmbëdhjetë gjatë ditës së katërt të vizitës në vendlindjen e tij, e para e papatit të tij, ishte pjesë e përpjekjeve të tij për t’u shtrirë dorën e bashkëpunimit besimeve të tjera fetare.

XS
SM
MD
LG