Lidhje

Goldberg u bëri thirrje udhëheqësve shqiptarë të Kosovës të përgatiten për negociatat mbi statusin përfundimtar


Intervistë me shefin e zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg

Zëri i Amerikës: Zoti ambassador, Kosova po shkon drejt bisedimeve për statusin përfundimtar, a prisni një vlerësim pozitiv të standarteve nga ambasadori Aide dhe a jeni dakord me mënyrën si po punon ai për raportin e tij?

Philip Goldberg: Po, mendoj se po e bën punën e tij siç pritej, ka shkuar në terren, ka shkuar në gjithë Kosovën në komunitete të ndryshme, shqiptare, serbe, rome dhe po merr një përshtypje të mirë për atë që ndodh këtu, për përparimin e bërë dhe për ato fusha ku ende ka nevojë për përparim. Është tani në Beograd, por do të kthehet në Prishtinë në fund të javës dhe është shumë i përqëndruar tani në fusha të ekonomisë, drejtësisë. Po bën një punë shumë gjithëpërfshirëse ose është duke e bërë këtë .

Zëri i Amerikës: A mendoni se udhëheqësit në Kosovë po përgatiten siç duhet për bisedimet për statusin përfundimtar?

Philip Goldberg: Do të doja të bënin më shumë. Kam thënë disa herë se udhëheqësit e Kosovës duhet të përgatiten për ato që do të jenë negociata shumë të rëndësishme. Do të ketë negociata dhe do të përfshijnë kompromis dhe një seri çështjesh, që do të trajtojnë mënyrën sesi pakicat do të jetojnë këtu, serbët, dhe politika të ndryshme për të cilat duhet të bihet dakord nga udhëheqësit politikë nga i gjithë spektri politik. Me sa di unë, asgjë nuk është bërë për tu përgatitur për ato negociata. Ka pasur disa diskutime, sesi të fillohet puna nga pikëpamja procedurale. Ne presim të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtar, diku nga vjeshta e këtij viti dhe pala e Kosovës duhet të përgatitet për atë që do të jetë një periudhë shumë të rëndësishme për ta. Ata duhet vërtetë të ulen dhe të punojnë. Mendoj se pjesë e problemit është se, ajo që duhet të jetë një përpjekje e përbashkët, këtu, në mënyrë të pashmangshme, fillon të keqësohet apo bëhet problem me partitë politike dhe debat politik. Kjo sipas nesh, është e patolerueshme në këtë pikë. Është që koha që ndryshimet partiake dhe politike të zbehen, është koha për një pozicion të unifikuar, sepse nuk do të përfaqësojmë ne Kosovën, as bashkësia ndërkombëtare, as Kombet e Bashkuara, kosovarët duhet ta bëjnë këtë. Mund tu them, Beogradi po përgatitet për atë që do të vijë, Washingtoni është i përgatitur, Brukseli është i përgatitur, Londra është, dhe është koha që kosovarët të përgatiten përmes udhëheqësve të tyre. Mendoj që përshtypja këtu është se është një cështje për negociim dhe se madje nuk është as negociatë. Kur them një çështje është çështja e pavarësisë apo diçka tjetër. Edhe nëse e kërkon këtë, që është dicka që nuk kuptohet nga palë të tjera në negociata, ka shumë cështje që dalin nga kjo, si të arrish marrëveshje me serbët, si ti bësh të ndjehen të sigurtë në zonat ku jetojnë, çështje që kanë të bëjnë me rolin ndërkombëtar këtu pas statusit përfundimtar, çfarë do të jetë. Kur mendon për statusin përfundimtar në këtë mënyrë, nuk është thjeshtë statusi politik, është mënyra sesi do të formohet shoqëria. I vetmi person që po flet për një pozicion për këtë, po e drejton keq komunitetin shqiptar, janë ata që shkruajnë në mure, jo negociata, sepse do të ketë negociata, nuk është thjeshtë çështje e pjesës së dytë të tyre, vetëvendosje. Është shumë më ndryshe se kjo. Mënyra sesi komunitetet këtu do të shkojnë dhe jetojnë me njëri-tjetrin është shumë më e ndërlikuar. Slloganet në mure nuk do të arrijnë atë që ka nevojë të bëhet këtu. Është një negocim që sjell kujtime të këqija nga Rambujeja, pjesë e arsyes është se pala shqiptare ishte aq e ndarë. Kjo është diçka që duhet mënjanuar këtë herë.

Zëri i Amerikës: Cili do të jetë roli i Washingtonit në bisedime, a do ti lejoni evropianët ti drejtojnë këto bisedime?

Philip Goldberg: Do të emërohet një i dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm, ne sigurisht kemi diskutime mes nesh sesi do të bëhen negociatat, por vendimi do të merret nga Sekretari i Përgjithshëm. Besoj se negociatori kryesor do të jetë evropian, kjo ka shumë kuptim. Ambasadori Burns, nënsekretari ynë për çështje politike e ka bërë të qartë se ne synojmë të jemi shumë ndihmues në atë proces duke emëruar një zëvëndës për atë të dërguar. Por është fakt se e ardhmja këtu dhe rruga drejt zhvillimeve të mëtejshme ekonomike, politike është në Evropë. Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë që interesat tona, interesat e përgjithshme të rajonit të jenë në tryezë, por kjo është dicka që do ta bëjmë në bashkëpunim me aleatët dhe miqtë tanë në Grupin e Kontaktit.

Zëri i Amerikës: Shqiptarët e Kosovës duan pavarësi si diçka të panegociueshme, ndërkohë që serbët vështirë se do të hiqnin dorë nga ideja e tyre e trajtimit të Kosovës si pjesë e territorit të tyre. Cfarë zgjidhje mund të gjendet, a prisni negociata të gjata?

Philip Goldberg: Ne do të jemi atje, komuniteti ndërkombëtar, të dërguarit, për të gjetur urëzuar ndryshimet, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për Prishtinën, Beogradin, rajonin, por më e rëndësishme për njerëzit që jetojnë këtu, për të gjetur mënyra sesi njerëzit mund të jetojnë bashkë.

Zëri i Amerikës: Vetëvendosja, do të përfshihet apo përjashtohet?

Philip Goldberg: Nuk mendoj se ka ndonjë gjë jashtë apo mbi tavolinë. Çdo gjë do të jetë në tavolinë.

Zëri i Amerikës: Serbët e Kosovës janë nën ndikim të fortë të Beogradit. Çfarë mund të bëhet që ata të vendosin vetë për veten e tyre?

Philip Goldberg: Mendoj se është shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës të përfaqësohen në procesin në vazhdim që përfshin institucionet vetëqeverisëse si parlamenti. Lidhur me Kosovën në veçanti, qeveria në Beograd, qeveritë pasuese të Millosheviçit nuk kanë pasur rol konstruktiv për të ndihmuar serbët e Kosovës për të ndërtuar vetëqeverisjen e tyre. Ky është problem dhe ka qenë problem për 6 vjet. Ata asnjëherë nuk kanë dalë me një politikë sesi të merren me gjendjen e brendshme në Kosovë. Ne e kuptojmë pikëpamjen e tyre për Kosovën, historinë e tyre, por nuk shohim sesi e shohin rrugën përpara, që përmban një Kosovë të bashkuar, jo të ndarë. Kjo nuk ka qenë asnjëherë e qartë dhe Serbia nuk ka qenë asnjëherë e interesuar për të ndihmuar përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare këtu përvecse me retorikë. Kemi parë për 6 vjet mbajtjen e institucioneve paralele në zonat serbe, në enklava, Mitrovicë, në veri, në universitet, të gjitha llojet e veprimeve që nuk synon të ndihmonin procesin e vetëqeverisjes.

Zëri i Amerikës: Lidhur me decentralizimin, nuk është një nga standartet, pse u bë kaq I rëndësishëm kohët e fundit?

Philip Goldberg: Është shumë i rëndësishëm sepse paraqet atë që do të jetë politika kryesore për rrugën përpara për statusin përfundimtar këtu, si do të japim për zonat e pakicave, serbët në vecanti, mjedis të sigurtë ku mund të sigurohen se arsimimi, kultura, policia dhe disa të tjera do të trajtohen brenda komuniteve të tyre. Kjo nuk do të thotë se nuk do të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës në tërësi. Është për qeverisje të mirë, por nuk është për kantonizim. Është për atë sesi të sillen zona që janë jashtë juridiksionit të Kosovës në shumë mënyra përmes institucioneve paralele, dhe një mënyrë për grupet etnike që kanë pasur probleme për të gjetur rrugën përpara. Kjo është mënyra që kemi identifikuar për ta arritur këtë.

XS
SM
MD
LG