Lidhje

Njeriu i Kenuikut - skeleti më i lashtë i zbuluar ndonjëherë


Rreth 10 vjet më parë, në shtetin veriperëndimor të Uashingtonit, dy njerëz bënë një zbulim të rrallë në brigjet e lumit Columbia. Ata zbuluan atë që më pas doli se ishte një nga skeletet më të lashtë dhe më të plotë të zbuluar ndonjëherë në Amerikën Veriore. Zbulimi u bë shkas për fillimin e një beteje ligjore mes shkencëtarëve, të cilët kërkonin të studionin këtë skelet mbi 9 mijë vjeçar, dhe indianëve vendës që thoshin se fjala ishte për një stërgjysh të lashtë të tyre i cili prandaj duhej varrosur. Skeleti i lashtë njihet me emrin “Njeriu i Kenuikut”.

Vitin e kaluar, shkencëtarët në Muzeun Burke të shtetit Uashington fituan të drejtën të analizonin skeletin, i cili ndodhej atje që nga viti 1998. Kohët e fundit ata filluan eksperimene për të nxjerrë të vërtetën rreth këtij njeriu të lashtë misterioz.

Të 300 kockat e skeletit të njohur me emrin “Njeriu i Kenuikut”, kanë shtruar më tepër pyetje se sa kanë dhënë përgjigje. Shkencëtarët që kanë analizuar kockat thotë se ky njeri mund të mos ketë qenë indian i Amerikës por ndoshta vizitor nga ndonjë pjesë tjetër e botës. Ja ç’thotë antropologu Douglas Owsley: "Skeleti nuk ka tipare nga ato që ne shohim në popullsitë evropiane, as nga ato të indianëve të Amerikës Veriore. Ai më duketg se ka tipare që vihen re më tepër në popullsitë aziatike."

Studiuesit thonë se Njeriu i Kenuikut arriti të mbijetojë megjithë një numër plagësh që mori gjatë jetës. Shkencëtari James Chatters krijoi një replikë të kafkës së tij dhe një model që tregon se si mund të ketë qenë ky njeri: "Është e qartë nga numri i plagëve se njerëzit e tij u kujdesën shumë për të. Të paktën dy nga këto plagë kanë qenë me rrezik për jetën."

Shkencëtarët shpresojnë se provat e mëtejshme do të japin më shumë të dhëna për origjinin e Njeriut të Kenuikut dhe se si jetoi dhe vdiq ai.

XS
SM
MD
LG