Lidhje

Në Tiranë Parlamenti i ri nuk mblidhet edhe pas votimeve të 3 zonave më 21 gusht


Autoritetet shqiptare i njohin tani më në fund të gjithë deputetët e parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut.

Gjykata e Apelit mandatoi dje deputetin e njëqindtë të kësaj gare të gjatë zgjedhore që shkoi afro 50 ditë, ndryshe nga ç’ishte menduar se ajo do të mbyllej vetëm me një raund mbrëmjen e 3 korrikut të largët. Kolegji i Apelit shpalli fitues në një nga zonat e njohura për simpatitë e majta ish-ministrin e jashtëm, Kastriot Islami, me vetëm rreth 30 vota më shumë se Artur Shehu i Partisë Demokratike.

Ndërsa një ditë më parë PD fitoi edhe 3 zonat e fundit me përsëritje zgjedhjesh, Astrit Bushati në Shkodër, Ilir Bano në Lushnje, Genc Ruli në Gjirokastër, duke forcuar më tej pozitat e maxhorancës së djathtë në parlamentin e ri.

Megjithatë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri sot të ditur se nuk mund të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, sipas ligjit, edhe për të paktën 10 ditë të tjera, në pritje të ndonjë ankimi të kandidatëve pas votimeve të 21 gushtit.

Analistë të jetës politike në Tiranë mendojnë se vonesat formale në thirrjen e parlamentit të ri po shfrytëzohen nga Partia Socialiste edhe për një tërheqje të qetë nga pushteti, edhe për një rregullim të dokumentacionit zyrtar, si edhe për një grumbullim të energjive për përplasjet e reja brenda socialistëve mbi përgjegjësitë dhe përgjegjësit e humbjes së zgjedhjeve.

Por zvarritjet formale në konstituimin e parlamentit dhe qeverisë së re po shkaktojnë, sipas tyre, pasoja jo të vogla edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë; shtim të kritikave në raportet e vëzhguesve të zgjedhjeve, ngadalësim në procesin e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë si dhe mungesa të autoriteteve shqiptare në tryeza të rëndësishme ndërkombëtare që pritet të mbahen gjatë shtatorit.

Mosparaqitja e zyrtarëve të rinj të Shqipërisë në takime ndërkombëtare ku flitet edhe për rajonin e Ballkanit dhe zhvillimet në Tiranë mund të shkaktohet dhe po arrihet në fakt nga vonesat në mbylljen e procesit zgjedhor, pastaj në thirrjen e parlamentit, më pas me organizimin e grupeve dhe komisioneve parlamentare, emërimin e kryeministrit, pyetje e diskutime në parlament, si edhe votimi i programit qeveritar, strukturës dhe ministrave të qeverisë re.

XS
SM
MD
LG