Lidhje

Thaçi: Komuniteti ndërkombëtar të respektojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur


Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, ditë e fundit po flitet shumë mbi përgatitjet për fillimin e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Filip Goldberg, tha se që të gjithë janë përgatitur për këtë përveç palës kosovare. Ku është problemi?

Hashim Thaçi: Unë mendoj se pala kosovare është e përgatitur për statusin politik, institucionet, partitë politike; shoqëria civile dhe vetë qytetarët janë përcaktuar për një shtet të pavarur dhe sovran. Unë vlerësoj se komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë më i përgatitur për të respektuar të drejtën e qytetarëve të Kosovës të shprehur mes vullnetit të tyre për shtet. Kështu që vlerësoj se situata është e re, është pozitive, janë rrethana që kërkojnë vetëm respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës edhe prej Uashingtonit edhe prej Brukselit si dhe prej Këshillit të Sigurimit e prej grupit të Kontaktit. Populli, isntitucionet dhe partitë janë të përgatitura për t’i hyrë procesit për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës të integruar në strukturat evroatlantike.

Zëri i Amerikës: Por, zoti Thaçi, zgjidhja e statusit politik kërkon një proces të negocimit të këtij statusi. A është pala e Kosovës e përgatitur për këtë proces?

Hashim Thaçi: Procesi i statusit politik është një proces që ka zgjatur shumë. Mendoj se ka ardhur koha që definitivisht të qartësohet ky proces, të nxirret vendimi i duhur, edhe prej komunitetit ndërkombëtar por edhe prej vetë kosovarëve. Nga ana tjetër, vlerësoj gjithashtu se duhet të punohet shumë që të mos negociohet statusi politik. Statusi politik është e papranueshme të negociohet sepse vullneti i qytetarëve as sesi nuk duhet të vihet në tryezën e bisedimeve. Në tryezë duhet të shtrohen thjesht modalitetet e ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe jo se çfarë statusi duhet të ketë ai.

Zëri i Amerikës: Atëhere, cili do të jetë roli i grupeve punuese? Çfarë do të negociojnë ato?

Hashim Thaçi: Unë vazhdoj të investoj për ndërtimin e urave të komunikimit dhe bashkëpunimit mes lidershipit të partive politike në Kosovë, mes pozitës dhe opozitës dhe jo në ndërtimin e vijave të frontit konfrontues politik midis pozitës dhe opozitës. Mendoj se duhet të investojmë që të jemi bashkarisht në këtë proces të ndjeshëm dhe historik.

Zëri i Amerikës: A jeni bashkë, a keni konsensus politik edhe për çështjet teknike që në fakt janë përgatitje për procesin e zgjidhjes së statusit?

Hashim Thaçi: Edhe nëse ka dallime politike, duhet të punohet që të jemi bashkë. Tashmë kemi Forumin Politik të Kosovës, dhe ky është një rast i mirë që secili të humbë nga pak nga egoja e vet për të investuar në procesin e ndërtimit të vendit, për ndërtimin edhe të shtetit e të rendit demokratik sipas parimeve dhe standardeve evropiane, në mënyrë që t’i hapim rrugën procesit të integrimit të Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian si dhe të NATO-s. Vlerësoj gjithashtu se edhe ambasadori Eide do të hapë rrugën për zgjidhjen e çështjes së statusit politik. Konsensusi është i plotë për statusin politik. Dy milion shqiptarë të Kosovës e kanë shprehur vullnetin e vet që Kosova të jetë shtet i pavarur e sovran. Natyrisht ka dallime për rrugën dhe mënyrën por secili lider politik ka detyrimin të zbatojë vetëm vullnetin e qytetarëve. Shteti i Kosovës apo pavarësia nuk është shpikje e ndonjë lideri të caktuar politik, por është vullneti i qytetarëve që ne si udhëheqës politik kemi detyrimin ta zbatojmë në praktikë.

Zëri i Amerikës: Si e shihni rolin e bashkësisë ndërkombëtare në të ardhmen?

Hashim Thaçi: Ky duhet të jetë rol i rëndësishëm, rol siç e luajnë edhe në vende të tjera të pavarura. Natyrisht UNMIK-u duhet të kuptojë gradualisht rolin e vet, se është i tepërt në procesin politik në Kosovë. Duhet të kemi bashkëpunim të ngushtë me të gjithë mekanizmat që do të mbesin si zyra këshilluese në Prishtinë, por në anën tjetër duhet të fokusohemi dhe të investojmë shumë që të kemi prani të theksuar të NATO-s në mënyrë që Kosova edhe pas zgjidhjes së statusit të jetë pjesë e sigurisë globale.

XS
SM
MD
LG