Lidhje

Shiitët në Irak ofrojnë propozimin e fundit për kompromis lidhur me kushtetuten


Udhëheqësit e shumicës shiite të Irakut u bënë propozimin e fundit për kompromis arabëve suni lidhur me tekstin e një kushtetute të re për vendin. Një zyrtar shiit tha sot se propozimi ka të bëjë me dy kundërshtimet kryesore të arabëve suni – federalizmin dhe përpjekjet për të përjashtuar ish anëtarët e partisë Baath të Saddam Huseinit nga jeta publike.

Njoftimi pasoi një telefonate që presidenti Bush i bëri zotit Abdul Aziz Hakim – udhëheqës i partisë më të madhe shiite të Irakut. Burimet në Bagdat thonë se gjatë telefonatës së tij, zoti Bush i kërkoi të tregohet më elastike për sa u përket kërkesave të sunive. Uashingtoni thotë se çdo vendim i shiitëve për të vepruar pa pjesmarrjen e arabëve suni mund t’i jepte një grusht fatal kushtetutës.

Zyrtarët amerikanë thonë se pa mbështetjen e sunive për projektkushtetutën, një numër më i madh arabësh suni do të bashkoheshin me kryengritësit dhe do të vononin tërheqjen e më shumë se 130 trupave të huaja në Irak.

Mijëra njerëz në Irakun qendror dhe jugor po marrin pjesë në tubime për të shprehur mbështetjen ndaj klerikut radikal shiit Moqtada al-Sadr dhe për të protestuar ndaj shërbimeve qeveritare bazë.

Me flamuj irakianë dhe fotografi të zotit al-Sadr në duar, si edhe parrulla kundër pranisë së koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, demonstruesit në të paktën pesë qytete kërkuan sot që Bagdadi të përmirësojë shërbimet për furnizim me ujë dhe energji elektrike.

Shumë protestues shprehën mbështetje për kundërshtimin e zotit al-Sadr ndaj projekt-kushtetutës për të cilën po diskutohet në kryeqytetin irakian. Zoti al-Sadr është shprehur në mbështetje të qëndrimit të sunitëve, që janë kundër një shteti federal, që mbështetet nga udhëheqësit shiitë.

Para disa ditësh, përkrahësit e tij u përleshën me rivalë shiitë, ndërsa përpiqeshin të rihapnin zyrat e tyre në qytetin e shenjtë të Naxhafit. Zoti al-Sadr, i cili organizoi dy kryengritje kundër forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar, u ka bërë thirrje përkrahësve të tij që të demonstrojnë paqësisht kundër qeverisë dhe të kërkojnë përmirësimin e shërbimeve bazë.

XS
SM
MD
LG