Lidhje

Daniel Fried: qeveria e Kosovës ka shumë për të bërë


Një zyrtar i lartë amerikan tha se qeveria e përkohëshme e Kosovës “ka shumë për të bërë” para se të fillojnë bisedimet për statutin përfundimtar. Ndihmës Sekretari i shtetit për çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Daniel Fried tha se qeveria e Kosovës duhet të tregojë se është e aftë për të marrë përgjegjësitë ndaj të gjithë qytetarëve të saj.

Ndihmës Sekretari i shtetit për çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Daniel Fried tha se koha po afron për zgjidhjen e statusin përfundimtar të Kosovës.

Por para se të fillojnë negociatat, tha zyrtari amerikan, autoritetet kosovare duhet të japin prova se mund të garantojnë një qeverisje të mirë dhe të përgjegjshme të shoqërisë së tyre.

Zoti Fried i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që t’i shtrijë dorën pakicës serbe.

“Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja nuk ndërhynë në Kosovë dhe nuk e ndalën spastrimin etnik që pala tjetër të krijojë një monopol mono etnik. Ne dëshirojmë të shohim që autoritetet kosovare të veprojnë dhe të bëjnë atë që është e drejtë. Dhe duke vepruar kështu, procesi i së ardhmes së Kosovës do të marrë rrugë,” tha Fried.

Shtetet e Bashkuara, tha ambasadori Fried, do të punojnë me vendet ballkanike drejt integrimit të tyre në strukturat Euro-Atlantike. Vlerat e Demokracisë, sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe ekonomia e tregut përbëjnë themelin e komunitetit euro-atlantik. Ai tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se vizioni për një të ardhme të përbashkët evropiane do të sjellë paqe, qëndrueshmeri dhe begati në rajonin e Ballkanit.

Zyrtari i Departamenti të shtetit është optimist lidhur me të ardhmen e Ballkanit

“Jam optimist sepse unë besoj se popujt e Ballkanit e kanë provuar nacionalizmin ekstrem dhe e kanë vërtetuar se ishte një katastrofë. Ai nuk sjell gjë tjetër veçse mjerim. Unë mendoj se popujt e Ballkanit janë gati ta provojnë lirinë,” tha diplomati.

Daniel Fried është diplomat amerikan i karierës. Para se të emërohej në postin e tanishem si Ndihmës-Sekretar i Shtetit për çështje evropiane dhe evropiano-aziatike, ai ka qenë ambasador në Poloni. Ai ka sherbyer gjithashtu edhe në ish Bashkimin Sovjetik dhe në ish Jugosllavi.

XS
SM
MD
LG