Lidhje

Një fushatë për të nxjerrë në reklama gra të zakonshme dhe jo modele, ngjall debat në Shtetet e Bashkuara


Në Shtetet e Bashkuara është hapur një debat pasi disa kompani në vend të modeleve, po përdorin në reklamat e tyre gra të zakonshme. Nike është një nga këto kompani që organizon fushatë reklamimi duke patur në qendër ato që në Amerikë janë pagëzuar si gra të vërteta. Disa ekspertë të marketingut thonë se ky mund të jetë fillimi i paraqitjes së një imazhi të ri për gratë në faqet e revistave dhe ekranet e televizioneve. Por disa gra thonë se nuk janë të sigurta për këtë.

E para ishte firma Dove. Kompania e sapunëve pushtoi stendat e afishimit dhe mbushi mijëra faqe revistash me pamjet e grave që nuk duken si fotomodele, vetëm në të mbathura. Fushata për Bukurinë e Vërtetë siç e quan atë kompania dhe modelet e saj kanë tërhequr shumë vëmendje si për mirë edhe për keq.

“U befasova, pasi jemi mësuar të shohim gratë e përsosura, me linja joshëse dhe kjo është diçka e ndryshme. Kështu që mu desh t’i shihja me kujdes dhe të vrisja mendjen çfarë reklamonin”, thotë Dominique Freire.

Reklamat janë për një krem që të tendos lëkurën, një produkt që e përdorin gratë. Shpejt pas kompanisë Dove, Nike filloi një fushatë të re që reklamon të ndenjura muskulore, gjunjë dhe këmbë të trasha.

Përfaqësuesja e marketingut për kompaninë Nike, Nancy Monsarrat tha se reklamat kanë si objektiv të provokojnë një lloj reagimi.

“Nuk menduam se do të ishte e rrezikshme por ishim të sigurt që do të ishte diçka provokative. Kur thua se ke të ndenjura të mëdha, patjetër do të tërheqësh vëmendjen e dikujt”.

Në Amerikë, ku modelet e gjata dhe të holla kanë qënë gjithmonë etaloni i reklamimeve, kjo formë e re i ka entuziazmuar disa njerëz.

“Kjo duhet të kishte ndodhur me kohë, kështu që mendoj se shumë kompani të tjera do të shohin efektet që këto reklama do të kenë tek gratë sot. Mendoj se këto produkte do të blihen më shumë pasi gjithkush do të thotë – këto nuk janë modele dhe unë dua të blej produkte që reklamojnë diçka të vërtetë”, thotë Shameka Wombley.

Por Jean Kilbourne, që studion imazhin e grave në reklama thotë se fushata nuk do të ndryshojë mënyrën sesi mendohet të jenë gratë.

“Kemi një rrugë të gjatë përpara. Kjo nuk do të ndryshojë me një fushatë të vetme reklamash”.

Disa gra thonë se të ashtuquajturat gra të vërteta nuk ngjasojnë me ato në përgjithësi.

“Ato nuk përfaqësojnë të përgjithshmen. Këto gra duket sikur janë i njëjti njeri, dhe nuk përfaqësojnë të gjitha kulturat apo difektet që kanë gratë në shoqërinë tonë”, thotë Wendy Doernberg.

Por Kelly Manion thotë se ky është një fillim i mirë.

“Është shumë mirë që gratë të shohin se nuk duhet të jenë të holla si modele për të qënë në reklama në mbarë botën”.

“Shpresojmë se kjo do të ndryshojë gjeneratën e ardhshme dhe ndoshta do të ndryshojë mendjen e vajzave të reja që rriten me mendimin se nuk ka pse të jesh e hollë për të qënë e shëndetëshme dhe tërheqëse”, thotë Grady Crittendon.

“Njerëzit i shohin këto gra që reklamojnë kremra për të tendosur lëkurën dhe thonë- duket si mamaja ime veshur me të mbathura të bardha dhe nuk është seksi të shohësh gratë e shëndosha që nuk portretizohen si të tilla”, thotë Elissa Gross.

Duken apo nuk duken modelet seksi, kompanitë janë duke e modifikuar moton e vjetër të reklamimit, konceptin se gjërat seksi shiten duke reklamuar produkte për gratë që shpresojnë të përmirësojnë pamjen e tyre në mënyrë realiste dhe jo përmes reklamave që nxisin fantazinë.

XS
SM
MD
LG