Lidhje

Presidenti Talabani u bën thirrje irakianëve të mbështesin projekt-kushtetutën


Presidenti i përkohshëm i Irakut Xhalal Talabani u bëri thirrje irakianëve që të mbështesin projekt-kushtetutën, që iu paraqit të djelën parlamentit të vendit. Zoti Talabani u tha gazetarëve në Bagdat se dokumenti u shkrua në emër të të gjithë irakianëve. Ai shprehu optimizëm se projekt-kushtetuta do të miratohet me anë të një referendumi, i cili duhet të mbahet deri më 15 tetor.

Po të djelën, përfaqësuesit irakianë i paraqitën parlamentit formën përfundimtare të projekt-kushtetutës së Irakut duke i dhënë kështu fund një debati disajavor intensiv mes negociatorëve shiitë, kurdë dhe arabë suni.

Përfaqësuesit e komunitetit arab suni, që përbëjnë pakicën, citohen të kenë thënë se e kundërshtojnë dokumentin, megjithë ndryshimet e minutës së fundit me synimin për të zbutur shqetësimet e tyre. Një prej pengesave kryesore kanë qënë kërkesat e shiitëve për krijimin e një rajoni autonom në Irakun Jugor të pasur me naftë, si rajoni kurd në veri të vendit. Arabët suni në Irakun qendror thonë se kanë frikë që ndarje të tilla do të bëjnë që ata të mbeten të izoluar dhe të mos kenë ndikim. Nuk është ende e qartë në se udhëheqësit arabë suni do t’i bëjnë thirrje komunitetit të tyre për të votuar pro ose kundër projekt-kushtetutës ose nëse ata të bojkotojnë referendumin.

Presidenti Bush tha se irakianët po përballen me çështje të vështira, por debati i gjatë politik në Bagdat është shenjë shpresëdhënëse se irakianët mund t’i zgjidhin problemet në të ardhmen me anë të diskutimeve dhe jo dhunës. Ai shprehu besimin se ligjvënësit irakianë do të hartojnë një kushtetutë demokratike që respekton traditat e vendit të tyre dhe garanton të drejtat e të gjithë qytetarëve.

Në fjalimin e tij të përjashtëm të shtunën në radio, zoti Bush u kërkoi amerikanëve të jenë të duruar me misionin ushtarak amerikan në Irak, me gjithë humbjen e jetëve.

Ai tha se përpjekjet e përbashkëta të forcave amerikane dhe atyre irakiane për të shtypur sulmet e kryengritësve në Irak do të kërkojnë më shumë kohë, më shumë sakrifica dhe vazhdimin e vendosmërisë së tyre. Anketat e opinionit publik tregojnë se amerikanët janë shumë të përçarë për sa i përket luftës në Irak. Pranë fermës së Presidentit Bush në Krouford të shtetit Teksas mijëra demonstrues, protestues kundër luftës, si dhe përkrahës të presidentit, kanë zhvilluar mitingje në mbështetje të kauzës së tyre.

Bashkimi Evropian, nga ana e tij, e mirëpëriti paraqitjen e projekt-kushtetutës së re parlamentit irakian. Presidenca e Bashkimit Evropian, që mbahet aktualisht nga kryeministri britanik, Tony Blair, me anë të një deklarate, e cilësoi këtë dokument hap të rëndësishëm në procesin politik të Irakut.

Në deklaratën e BE-së u bëhet thirrje të gjithë irakianëve që të marrin pjesë në procesin e ratifikimit të kushtetutës, në referendumin që duhet të mbahet deri më 15 tetor. Në të ofrohet gjithashtu ndihma e Bashkimit Evropian në përgatitjen e votimit si dhe për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen në muajin dhjetor.

XS
SM
MD
LG