Lidhje

Uragani Katrina shkakton vdekjen e të paktën 55 vetëve


Autoritetet amerikane thonë se uragani Katrina ka shkaktuar vdekjen e të paktën 55 personave dhe besojnë se numri i viktimave mund të rritet më tej.

Stuhia goditi brigjet jugore të Shteteve të Bashkuara në Gjirin e Meksikës dje herët në mëngjes, duke sjellë shkatërrim në shtetet e Luizianës, Misisipit dhe Alabamës, para se të zbutej duke u shndërruar në një stuhi tropikale, ndërsa zhvendosej drejt verilindjes.

Zyrtarët e ndërhyrjes së shpejtë në Misisipi thonë se numri më i madh i vdekjeve të shkaktuara nga Katrina ndodhën në një kompleks apartamentesh në qytetin Biloxi në breg të oqeanit. Dy raste të tjera vdekjesh u njoftuan në shtetin fqinjë të Alabamës.

Persona të tjerë mendohet të kenë vdekur në lagje të përmbytura përreth qytetit të New Orleansit në Luiziana, ku ekipet e shpëtimit nuk depërtojnë dot për shkak përmbytjeve masive rekord.

Metereologët thonë se Uragani Katrina është stuhia e katërt më e fuqishme që godet Shtetet e Bashkuara.

Ai goditi së pari Floridën nga fundi i javës së kaluar duke shkaktuar vdekjen e shtatë personave.

XS
SM
MD
LG