Lidhje

Spahiu: Presidenti të emërojë menjëherë kryeministrin e ri


Kreshnik Spahiu, Drejtor Ekzekutiv i Zyrës për Mbrojtjen e Qyetarëve I tha Zërit të Amerikës se pasojat që po rrjedhin nga mosmbledhja e parlamentit shqiptar janë jo vetëm politike por edhe institucionale. Ai sugjeroi që Presidenti të emërojë pa vonesë kryeministrin e ri.

Zëri i Amerikës: Zoti Spahiu, çfarë pasoja institucionale mund të kishte mbledhja e parlamentit nga vetë deputetë dhe anashkalimi i Presidentit?

Kreshnik Spahiu: Është vështirë të parashikosh në mënyrë hipotetike se çfarë do të ndodhte me një nismë të tillë të deputetëve shqiptarë, por praktikisht nisma e tyre bazohet në nenin 67 paragrafi 2, sipas të cilit nëse parlamenti nuk mblidhet brenda afatit, atëhere ai mund të vetmblidhet nga deputetët. Një gjë është e sigurt: pasojat që po rrjedhin nga mosmbledhja e parlamentit shqiptar janë të dukshme, janë jo vetëm politike por edhe institucionale. Praktika e mosmbledhjes së parlamentit, duke i lejuar vendit të qeveriset nga një qeveri e cila nuk është më legjitime për të drejtuar vendin, është një nga praktikat më antiparlamentare jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Ajo çka duhet të referohet tanik dhe nisma, e cila duhet të mbështet qoftë në kushtetutë, qoftë në ligj, do të ishte emërimi i menjëhershëm nga Presidenti i Republikës, i kryeministrit të ri. Ndonëse ka një intepretim të dyanshëm nëse mund të mblidhet apo jo parlamenti - kjo mund të jetë e debatueshme – asgjë nuk e pengon sot emërimin e kryeministrit të ri. Shihet qartë se shumica e dalë nga 3 korriku tashmë është e padiskutueshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Spahiu, a mendoni se kjo vonesë në shpalljen e rezultateve e ka dëmtuar imazhin e zgjedhjeve dhe të demokracisë shqiptare jashtë vendit?

Kreshnik Spahiu: Jo vetëm që e ka dëmtuar shumë rëndë, sepse tre korriku ka hapur një precedent krejtësisht negativ dhe të ri për jetën parlamentare në vend, por tashmë po pengon edhe shumë hapa të procesit të integrimit të Shqipërisë. Jo më larg se data 15 shtator, në Nju Jork zhvillohet takimi i nivelit të lartë të OKB-së dhe ndonëse në këtë takim Shqipëria do të përfaqësohej qoftë nga presidenti ose nga qeveria e re, tashmë është e pamundur që nëse nuk mblidhet parlamenti të krijohet mundësia që Shqipëria të përfaqësohet në samitin e 15 shtatorit. Për këto arësye, të gjitha motivet për mosmbledhjen e parlamentit janë antikombëtare.

Zëri i Amerikës: Zoti Spahiu, për herë të parë partitë politike kanë paraqitur disa të dhëna mbi shpenzimet e tyre gjatë fushatës zgjedhore. Sa i pergjigjen ato realitetit, a jane fshehur fondet ne keto deklarata shpenzimesh dhe a mendoni se gjate fushatës janë perdorur para të pista?

Kreshnik Spahiu: Kjo është një pyetje shumë e drejtë që me sa duket shumë analistë apo politikanë nuk guxojnë t’i afrohen e jo më ta debatojnë. Por nëse dso të flisnim për pjesën pozitive, pozitiv është fakti se për herë të parë ka një detyrim ligjor dhe një praktikë të deklarimit të financimit të partive. Po ashtu duhet përshëndetur deklarimet e disa partive të vogla të cilat përputhen me një monitorim që ne kemi zhvilluar për financimin e partive. Përsa i përket pjesës negative, ka një mospërputhje të deklarimeve të bëra dhe shpenzimeve apo kostos së fushatës elektorale që kanë zhvilluar partitë e mëdha parlamentare. Ato kanë shpenzuar më shumë para dhe ka qenë fushata më luksoze e 15 viteve të fundit. Një nga arësyet kryesore të mosdeklarimit të tyre, janë financimet nga burime të dyshimta nga para që rrjedhin nga bizneset që kanë përfituar nga tenderat, nga kontrabanda, nga shmangia e detyrimeve fiskale por edhe nga individë të cilët dyshohen që mund të jenë të inkriminuar. Prandaj duhet ushtruar më shumë presion ndaj politikës dhe ndaj parlamentit shqiptar për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë mungesë së transparencës, e cila sjell si pasojë shtimin e korrupsionit në vend.

Zëri Amerikës: A ka ndikuar situata e paqartë pas zgjedhjeve në një shtim të korrupsionit?

Kreshnik Spahiu: Kjo ka ndikuar në mbylljen e hesapeve të vjetra të shujmë prej zyrtarëve të korruptuar që kanë shpejtuar të mbyllin dosjetg për të mols lënë gjurmë në të ardhmen për aferat e tyre korruptive. Së dyti, vakuumi parlamentar dhe institucional ka krijuar një gjendje alarmante të nivelit të kriminalitetit në vend. Shqipëria, me ritmet e kriminalitetit, kryesisht të vrasjeve, është një nga vendet e para ose I pari në Evropë përsa u përket vrasjeve, në përpjestim me popullatën. Kjo është një gjendje shumë tragjike sepse çdo ditë në vend ndodh një vrasje. Këto dy muajt e fundit, shteti jop vetëm që me sa duket ka bërë pak me krimin e organizuar por ka dështuar edhe në luftën ndaj krimit ordiner.

XS
SM
MD
LG