Lidhje

Shtetet e Bashkuara dënojnë vrasjen e dy serbëve në Kosovë


Shtetet e Bashkuara shprehën dje zemërim mbi vrasjen e dy serbëve gjatë fundjavës së kaluar në Kosovë. Departamenti i shtetit tha se parandalimi i sulmeve të tilla do të jetë një provë kyçe për aftësinë e Kosovës për vetëqeverisje.

Shtetet e Bashkuara, ashtu si edhe Bashkimi Evropian më parë dënuan sulmin e së shtunës kundër serbëve, që është cilësuar si dhuna më e rëndë mesa duket me bazë etnike në Kosovë që prej afro një viti.

Dy serbë që po udhëtonin në një makinë në Kosovën jugore u vranë dhe dy të tjerë u plagosën gjatë një sulmi me armë i cili ndodhi ndërkohë që zyrtarë të OKB-së po përgatiten të përcaktojnë nëse kushtet në Kosovë janë përmirësuar aq sa të mundësojnë fillimin e negociatave mbi të ardhmen politike të Kosovës.

Kosova ka qenë nën kontrollin e OKB-së që nga viti 1999, kur trupat serbe të akuzuara për masakra kundër popullatës shqiptare u detyruan të tërhiqen pas sulmeve ajrore të NATO-s.

Njoftimet e lajmeve thonë se incidenti i fundit ka rizgjuar tensionet etnike në rajon, ndërsa udhëheqësit serbë të komuniteteve që fajësojnë ektremistët etnikë shqiptarë, kurse qeveria në Beograd thotë se kjo tregon se Kosova nuk është gati për fillimin e negociatave mbi statusin e saj përfundimtar.

Në një konferencë shtypi, zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit, Shon McKormak, shprehu zemërimin amerikan mbi vrasjen ndërkohë që nxiti banorët e Kosovës të ruajnë qetësinë dhe të ndihmojnë policinë për të sjellë fajtorët përpara drejtësisë.

Ai tha se megjithëse motivet e vrasjes nuk janë zbuluar akoma, është detyrë e autoriteteve të Kosovës të mbrojnë popullatën në minoritet të rajonit.

“Cilatdo qofshin motivet e krimit, udhëheqësit e Kosovës duhet të vazhdojnë përpjekjet për të përmirësuar lirinë e qarkullimit dhe të bëjnë popullatën e minoriteteve të ndihet e sigurt. Zotësia e institucioneve të Kosovës për parandalimin e vrasjeve të tilla në të ardhmen do të jetë një provë e rëndësishme për aftësinë e Kosovës për vetëqeverisje.”

Administrata e presidentit Bush së bashku me aleatët evropianë vendosën në muajin maj që të rishikojnë përpjekjet e pezulluara të Kosovës për një zgjidhje përfundimtare.

Një i dërguar i posaçëm i OKB-së, diplomati norvegjian Kai Aide, u emërua për të vlerësuar nëse Kosova është gati për fillimin e bisedimeve mbi statusin e saj përfundimtar dhe dhënia e vendimit të tij është çështje javësh.

Varet pikërisht nga vendimi i tij nëse negociatat ndërkombëtare mund të fillojnë nga fundi i vitit, për të vendosur nëse Kosova do të mbetet pjesë e Serbisë, do të fitojë pavarsinë apo do të katë një status të përzier.

Administrata e presidentit Bush thotë se nuk a ka paragjykuar çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës, por shton se çdo marrëveshje përfundimtare do të jetë e bazuar tek një zgjidhje shumë-etnike me respekt të plotë të të drejtave të njeriut duke përfshirë të drejtën e serbëve dhe të tjerëve për t’u rikthyer në shtëpitë e tyre dhe për t’u ndier të sigurt.

NATO-ja ka rreth 20 mijë trupa në Kosovë, ku megjithë praninë e forcave të sigurisë ka patur shpërthime dhune, si rasti i marsit të vitit 2004.

XS
SM
MD
LG