Lidhje

Hysa: Nuk duhet paragjykuar mbi incidentin para mbarimit të hetimeve

  • Laura Konda

Për të biseduar lidhur me gjendjen në Kosovë pas incidentit të ditës së shtunë, në këndvështrimin e analistit, Zëri i Amerikës intervistoi për “Ditarin” analistin Ylber Hysa, i cili është njëkohësisht nënkryetar i Partisë "Ora".

Zëri i Amerikës: Zoti Hysa, a mendoni se vrasjet në Shtërpcë tregojnë se në Kosovë, ende ka ndarje etnike që herë pas here konkretizohen me veprime reale me dhunë, apo ato mund të jetë nxitur nga interesa të ndryshme?

Ylber Hysa: Së pari më lejoni të shpreh keqardhjen time për këtë rast tragjik. Çdo humbje e jetës së një të riu në Kosovë është një humbje për të gjithë. Më duhet të them se është ende shumë herët për të marrë një vendim për gjykime që do të thonin se kjo vrasje ka ngjyrime ndëretnike; mbesin shumë gjëra ende të pasqaruara që tregojnë se duket që ky të ketë qenë një krim me motive të tjera që nuk ndërlidhet me raportet mes shqiptarëve dhe serbëve.

Zëri i Amerikës: Lidhur me reagimin e serbëve, që dolën dje në protesta, a mendoni se kemi të bëjmë me një reagim të natyrshëm, për shkak të viktimave, apo kemi të bëjmë me një shfrytëzim të situatës dhe nxitje nga ana e disa politikanëve?

Ylber Hysa: Po mund të jenë të dyja. Është e kuptueshme që mund të ketë reagime të vrullshme nga ana e serbëve për shkak edhe të mëparshme që kanë ndodhur dhe që kjo të ketë nxitur një lloj revolte sidmos për faktin që shumica e këtyre njerëzve u njoftuan përmes mediave shtetërore serbe dhe duket që ata e kanë perceptuar të vërtetën ashtu siç u është servirur nga Beogradi dhe fatkeqësisht ishin politikanët kryesorë beogradas, të cilët u ngutën që të përdorin një gjuhë mjaft të rëndë, duke akuzuar shqiptarët apriori për këtë krim e mbase duket që ka patur nga dikush edhe ndonjë agjendë politike për të përdorur këtë situatë para se mund të them që protestat e djeshme që janë mbajtur në disa vende në Kosovë, përfshirë edhe atë në Mitrovicën e Veriut, megjithatë kanë qenë të qeta dhe si të tilla, mund të them që kanë kontriubuar që mos keqësohet situata.

Zëri i Amerikës: Si e ka pritur shoqëria kosovare këtë incident?

Ylber Hysa: Deri tani, reagimet përsa i përket partive politike kanë qenë të qarta, të gjitha e kanë dënuar krimin, nuk kanë paragjykuar se kush mund të jetë përgjegjës, por pa marrë parasysh, kanë shprehur indinjatën për një gjë të tillë dhe deri më tash duket që opinioni ka mbetur i përmbajtur, së paku përsa i përket palës shqiptare.

Zëri i Amerikës: Në ngjarjet e marsit të vitit të kaluar, pati kritika të shumta për mënyrën se si i pasqyroi ato shtypi, më konkretisht, që shtypi luajti rol në nxitjen e trazirave. Po këtë herë, si mendoni se po e pasqyron shtypi ngjarjen?

Ylber Hysa: E konsideroj që shtypi është përmbajtur dhe në këtë aspekt ndoshta është leksioni i mësuar që më parë që nuk duhet nxituar, që në fakt është treguar dhe më parë, që në Kosovë mjafton një incident, i cili pastaj do të nxisë perceptime të ndryshme, që të mund të krijohen situata të pavolitshme, thjesht për shkak ngaqë nuk janë krijuar edhe insittucionet, të cilat mund ta absorbojnë një situatë të jashtëzakonshme, sidomos ngaqë gjakrat janë të nxehta edhe nga e kaluara.

Zëri i Amerikës: Megjithëse hetimet vazhdojnë, mendoni se ky incident i ka dëmtuar përpjekjet për krijimin e kushteve të sigurta për serbët si dhe imazhin e Kosovës në përgjithësi?

Ylber Hysa: Jo, është një fakt ndoshta ironik, por që në një mënyrë, apo tjetër, shpreh gjendjen: këta djelmosha, të cilët duket se kanë qenë rrugës për në diskotekë, kanë qenë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, d.m.th nga Kosova Qendrore dhe disa nga ata kanë patur lidhje edhe me Kosovën Veriore, duket që kanë udhëtuar dhe kjo gjë duket se po ndodh. Megjithatë, ka një përparim dhe duket që ka lëvizje edhe të serbëve në anët e ndryshme të Kosovës dhe kjo deri tani po shihet që është një situatë e kontrolluar, nëse asaj nuk do t’i kontriubojnë politikanët e pandërgjegjshëm, të cilët do të mundoheshin që ta shfrytëzonin këtë për ndonjë agjendë politike.

Zëri i Amerikës: Zoti Hysa, zyrtarët ndërkombëtarë po shprehin kritika ndaj udhëheqësve shqiptarë, se nuk po përgatiten për bisedimet mbi statusin përfundimtar. Cilat janë pikat e dobëta të qeverisë së Kosovës, për fillimin e negociatave?

Ylber Hysa: Po, para së gjitha, unë konsideroj që pika më e dobët është vetë gjendja, një lloj asimetrie në të cilën mund të kyçen kosovarët në bisedimet me Serbinë. S’duhet harruar, që nuk ka përfunduar ndërtimi i institucioneve, ndaj kosovarët, me një ironi, ashtu sikurse edhe e filluan luftën përmes guerriles dhe në një ushtri të rregullt, duket që do t’i bëjnë negociatat si një qeveri e pakompletuar, me një shtet, i cili, megjithatë ka ministri. Megjithatë, në këtë aspekt, po më duket se liderët kosovarë e kanë kuptuar seriozisht këtë situatë dhe me faktin që bëjnë pjesë në forum, kanë treguar që konsensusi për këtë aspket është më i rëndësishëm se një relacion i thjeshtë mes pozitës dhe opozitës, duke demonstruar kështu se çështja e statusit duhet kundruar si një interes strategjik kombëtar.

XS
SM
MD
LG