Lidhje

Legjenda e Solidarnostit

  • Jaroslav Anders

Udhëheqës botërorë dhe qytetarë nga e gjitë Polonia festuan 25 vjetorin e krijimit të sindikatës së pavarur të punëtorëve Solidarnost, e cila njihet si organizata që bëri të mundur përmbysjen e komunizmit në Evropën Qëndrore dhe Lindore. Sot në Gdansk, themeluesi i Solidarnostit dhe presidenti i parë i Polonisë i zgjedhur në mënyrë demokratike, Leh Valesa, tha se lëvizja Solidarnost e vuri Evropën lindore në rrugën e demokracisë.

Para çerek shekulli, zoti Valesa udhëhoqi një grevë në portin Lenin të Gdanskut kundër qeverisë komuniste të Polonisë. Imazhe të punëtorit të portit në atë kohë në moshën 37 vjeçare u përhapën në gjithë planetin dhe nxitën një lëvizje pa dhunë, që pas gati një dekade rrëzoi komunizmin dhe çoi në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Ceremonitë përkujtimore të kësaj dite arritën kulmin me një meshë për nder të Papa Gjon Palit të Dytë. Vizita e Papës në vendlindjen e tij Poloni në vitin 1979, shihet gjerësisht si ngjarja që i frymëzoi polakët të kundërshtonin në mënyrë paqësore regjimin komunist. Por let'i hedhim një vështrim historikisht "legjendës" së Solidarnostit:

25 vjet më parë, më 31 gusht 1980, qeveria komuniste e Polonisë njohu ligjërisht sindikatën e punëtorëve Solidarnost, një veprim i paparë në një vend komunist. Disa historianë e konsiderojnë këtë si momenti kur sistemi komunist në Evropën Qendrore dhe Lindore filloi t’i afrohet fundit. Por si filloi dhe cilat janë burimit dhe rrjedhojat e revolucionit Solidarnost.

Nënshkrimi i marrëveshjeve historike ndërmjet grevistëve që punonin në kantierin detar Gdansk dhe delegatëve të qeverisë polake në Varshavë u arrit pas dy javë konfrontimesh intensive të drejtuara nga Leh Valesa, një elektriçist që punonte në kantierin Gdansk.

Protestat filluan si rrjedhojë e pakënaqësisë së punëtorëve me kushtet e jetesës dhe të punës. Por shumë shpejt Solidarnosti mblodhi rreth vetes intelektualë, artistë, veprimtarë katolikë si dhe opozitën e re demokratike të Polonisë.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit dhe ish ambasador amerikan në Poloni Dan Fried thotë se në fillim ai i ndoqi protestat me ngurim dhe skepticizëm:

“Në atë kohë nuk e mendonim që historia mund të ndryshohej. Shumë amerikanë, për fat të keq këtu përfshihem edhe unë vetë, mendonin se historia mori vendimin përfundimtar në vitin 1945 dhe se bota e Luftës së Ftohtë që kisha njohur në fëmijëri do të vazhdonte edhe në të ardhmen.” - thotë Fried.

Por ngurrimi shpejt u zëvendësua nga ngazëllimi dhe shpresa kur qeveria polake ra dakort të njohë pjesën më të madhe të kërkesave të punëtorëve, përfshirë edhe të drejtën për t’u organizuar lirisht. Qeveria premtoi të lehtësonte censurën mbi median, të garantonte lirinë e besimit dhe të ndalte përndjekjen e veprimtarëve për demokraci. Në këtë moment, thotë zoti Fried, e kuptova se komunizmi mund të mos jetë i përjetshëm.

Por regjimi komunist nuk u dorëzua aq lehtë. Në dhjetor 1981, udhëheqësi i Polonisë Voiçek Jarozelski shpalli shtetrrethimin, bllokoi lëvizjen Solidarnost dhe burgosi shumicën dërrmuese të udhëheqësve të saj. Regjimi polak nuk arriti dot kurrë të rimarrë plotësisht kontrollin, dhe lëvizja Solidarnost vazhdoi të veprojë në ilegalitet duke nxitur qëndresën civile ndaj autoritetit. Në vitin 1989 më së fundi regjimi pranoi të hiqte dorë nga një pjesë e pushtetit. Një vit më pas Leh Valesa u bë presidesti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në Poloni që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Vite më pas, shembulli i Solidarnostit gjeti jehonë edhe në vende larg Gdanskut si në Ukrainë dhe Iran. Jaroslav Martiniuk, ekspert për median ishte në Ukrainë gjatë revolucionit paqësor të dhjetorit 2004.

“Mendoj se në një farë mënyre lëvizja Solidarnost është kthyer në një shembull për lëvizjet demokratike të shekullit të 21-të, ndër të cilët Revolucioni i Trëndafiltë në Gjeorgji, Revolucioni Portokalli në Ukrainë dhe deri diku revolucioni në Liban dhe Kirgistan. Është e vërtetë që kanë kaluar vite që nga Solidarnosti, por ky revolucion provoi që mund të heqësh nga pushteti një regjim kriminel, të korruptuar dhe totalitar nëse je i bashkuar dhe i vendosur.”- thotë eksperti.

Shembulli i Solidarnostit studiohet sot ndër vende të tjera, ndër të cilat edhe nga veprimtarët demokratë në Iran. Dr. Shariar Ahi, analist për Lindjen e Mesme thotë se frymëzimi i marrë nga Solidarnosti u vërejt në protestat anti-islamiste në Iran

Ndërkohë që polakët festojnë 25 vjetorin e Solidarnostit, shumë nga heronjtë e 1980 nuk janë më në jetën politike. Polonia është tani anëtare e Natos dhe e Bashkimit Evropian. Megjithatë vendi ende ndeshet me 18 për qind papunësi. Por legjenda e Solidarnostit, e njerëzve të thjeshtë që u ngritën kundër diktaturës dhe fituan, vazhdon në Poloni dhe përtej kufijve të saj.

XS
SM
MD
LG