Lidhje

Analisti Daniel Server komenton lidhur me gjendjen në Kosovë në prag të negociatave mbi statusin

  • Ardita Simiçia

Megjithë vullnetin e mirë që ka pala shqiptare në përgatitje për negociatat për statusin përfundimtar, nuk ka pasur një angazhim konkret për këto negociata dhe shumë aspekte teknike mbeten të pasqaruara, thotë zoti Serwer:

Negociatat e kësaj natyre kërkojnë shumë përgatitje. Eshtë bërë e qartë se serbët po përgatiten me kujdes. Isha në Kosovë para afro 2 vjetësh për të ndihmuar autoritetet e Kosovës për tu përgatitur për aspekte teknike. Arrita në përfundimin se ata kishin vullnetin e mirë, por shumë pak përgatitje teknike. Këto përgatitje nuk kanë shënuar shumë përparim që nga ajo kohë. Shqiptarët duhet të dinë se çfarë kërkojnë dhe çfarë u nevojitet: sa para duhen për pensionet, për kompensimet, cilat dokumenta duhet t’i kthehen Kosovës nga Beogradi. Me sa di unë, Ministria e Kulturës në Kosovë ka përgatitur një listë të hollësishme të objekteve të kulturës që kërkon të kthehen në Kosovë dhe serbët kanë një listë të momunteve të kulturës që kërkojnë të mbrohen. Këto nuk janë negociata të thjeshta kur e vetmja çështje për diskutim është statusi përfundimtar. Komuniteti ndërkombëtar do të kërkojë arritjen e një marrëveshjeje të gjerë dhe të përgjithshme që do të shërbejë për vite të tëra në të ardhmen,- thotë Serwer.

Një ndër standartet kryesore të caktuara nga komuniteti ndërkombëtar ka qenë procesi i decentralizimit të pushtetit. Por analisti vëren se ky proces duhet zhvilluar në një mënyrë të tillë që t’i shërbejë fuqizimit të autoriteteve vendore dhe të mos shndërrohet në forcë destabilizuese dhe përçarëse për komunitetet etnike:

"Mendoj se procesi i decentralizimit është një pjesë e zgjidhjes së çështjes së Kosovë, ashtu siç ka qenë pjesë e zgjidhjes në Bosnje, Maqedoni e gjetkë në Ballkan. Por nëse decentralizimi përdoret si fasadë për të mbuluar përpjekjet për ndarje territoriale të grupeve etnike, atëherë ky proces shndërrohet në pjesë të problemit dhe rikrijon vija të reja konflikti ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Në këtë moment Beogradi duket se është i vendosur për një proces decentralizimi që ndan serbët dhe shqiptarët. Unë nuk e mbështes një proces të tillë. Unë jam për një proces serioz decentralizimi që transferon një pjesë të pushtetit në duart e autoriteteve vendore, në mënyrë që t’u jepet pakicave, përfshirë edhe serbëve, një hapësirë më të madhe për të thënë fjalën e tyre",- thotë analisti.

Analisti kritikon përpjekjet e Beogradit për të ndikuar në zhvillimet në Kosovë përmes influencës së tij tek pakicat serbe të Kosovës. Kjo politikë thotë analisti ka ndikuar negativisht mbi vetë interesat e këtij komuniteti dhe u bën thirje serbëve të Kosovës të marrin iniciativën për të parashtruar vetë interesat e tyre:

"Serbët e Kosovës duhet të paraqesin vendimet e tyre në procesin e negociatave për status, mendoj unë, por në vitet e fundit kemi vërejtur përpjekje intensive nga ana e Beogradit për të kontrolluar çdo gjë që bëjnë serbët e Kosovës. Kjo i ka dëmtuar interesat e serbëve të Kosovës, të cilat jo medoemos përkojnë me interesat e Beogradit. Por u takon serbëve të Kosovës të mobilizohen dhe të punojnë për interesat e tyre. Si shembull të ndërhyrjes së Beogradit do të sillja një fakt që lidhet edhe me incidentet e fundit në Kosovë. Beogradi këmbëngul që serbët që jetojnë në Kosovë të përdorin targa serbe, gjë që e vështirëson së tepërmi lëvizjen e serbëve në Kosovë duke i bërë të spikasin nga popullata e gjerë në Kosovë dhe i vë në rrezik. Këto përpjekje janë edhe në kundërshtim me kushtet e përcaktuara në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit",-thotë analisti.

Vrasja e dy të rinjve serbë pranë komunës së Shterpcës, tha zoti Server, është një akt shqetësues, por nuk duhet parë si një pasqyrë e përgjithshme e mbarëvajtjes së gjendjes në Kosovë.

"Duhet thënë se vrasja e dy të rinjve serbë është një veprim i përçmueshëm dhe duhet të dënohet me forcë. Por të mos harrojmë se në të gjitha shoqëritë ka vrasje dhe nuk jam i bindur se ky akt duhet përdorur për të karakterizuar aftësinë e komunitetit ndërkombëtar për të garantuar sigurinë në Kosovë. Ndoshta aftësia e komunitetit ndërkombëtar në këtë drejtim provohet më mirë nga muajt e shkuar kur nuk ka pasur incidente të tilla. Por është e rëndësishme që të gjitha palët të dënojnë këto vrasje dhe të vazhdojnë përpjekjet për t’u prerë rrugën akteve të tilla në të ardhmen. Duhet të mos harrojmë se standartet e vendosura për Kosovën nuk kërkojnë që të mos ketë asnjë krim, por që aktet kriminale të ndiqen si duhet nga autoritetet përkatëse. Tani duhet parë nëse komuniteti shqiptar do të bashkëpunojë si duhet për të sjellë autorët e vrasjeve para drejtësisë. Pikërisht këtë pret komuniteti ndërkombëtar",- tha Server.

Shqetësimet për sigurinë, theksoi analisti, janë një problem serioz në Kosovë, dhe nuk duhen ushqyer shpresa për një zgjidhje të plotë të këtij problemi me zgjidhjen e statusit.

"Nuk mendoj se është fjala thjesht për shqetësime psikologjike. Mendoj se në Kosovë ka shqetësime reale për sigurimin për serbët. Komuniteti ndërkombëtar nuk është treguar i aftë sa duhet për t’iu përgjigjur këtyre shqetësimeve. Statusi përfundimtar mund të sjellë shumë ndryshime, por asnjë nga ne nuk e di si do të ndikojë konkretisht. Unë do të parashikoja që edhe pas zgjidhjes së statusit përfundimtar do të ketë krime ndëretnike, komuniteti shqiptar në Kosovë duhet të jetë në gjendje t’u përgjigjet akteve të tilla duke sjellë autorët e akteve para drejtësisë, përndryshe i gjithë komuniteti do të fajësohej për aktet e disa individëve të veçuar",- tha Daniel Server.

XS
SM
MD
LG