Lidhje

Dëmet materiale të uraganit Katrina


Numri i të vdekurve shkaktuar nga uragani Katrina vazhdon të rritet, ndërkohë që dëmet e jashtëzakonshme bëhen gjithnjë e më të dukshme. Kryetari i Bashkisë i New Orleansit i tha agjencisë Associated Press se numri i viktimave mund të arrijë në qindra, mbase edhe në mijëra vetë. Por pasojat e kësaj katastrofe natyrore, ndër më të rëndat që godasin Shtetet e Bashkuara po ndjehen edhe në tregjet botërore të energjisë.

Mendohet se Katrina është që nga stuhitë që ka shkaktuar më shumë dëme materiale në historinë amerikane, që mund të kapërcejnë 25 miliardë dollarë.

Zyrtarët thonë se mund të duhen 12 deri në 16 javë që banorët të lejohen të shohin shtëpitë e tyre të përmbytura, ose të dëmtuara, por kjo katastrofë, më e madhja që prek zonat urbane në Shtetet e Bashkuara, po shkakton gjithashtu shqetësime të mëdha në tregjet e energjisë botërore.

Ndërsa 20 sonda nafte të Gjirit të Meksikës, nuk dihet se ku kanë përfunduar dhe prodhimi i naftës në këto zona ka rënë me afro 95 për qind, spekullimet mbi rritjen e kërkesës, po sjellin si rezultat një blerje të shfrenuar. Ira Eckstein është një tregëtar në bursën e New Yorkut.

“Nuk e kam parë kurrë një gjë të tillë gjatë gjithë karrierës sime. Çmimi i naftës së papërpunuar ka arritur në 70 dollarë e 85 cent, një rekord krejt i ri”.- thotë ajo.

Dhe ndërkohë që çmimet e karburantit po arrijnë një mesatare prej 3 dollarësh në shkallë vendi, Senatori amerikan Charles Schumer thotë se ka ardhur koha për një ndërhyrje të vendosur.

“Po sjell pasoja në jetën e njerëzve, po sjell pengesa në ekonomi. Tani është momenti që të përdoret rezerva strategjike e naftës”.- tha Senatori.

Rezerva strategjike amerikane e naftës përbëhet nga afro 700 milionë fuçi me naftë të papërpunuar, të magazinuara në galeri të nëndheshme dhe është e mjaftueshme për të plotësuar nevojat e Shteteve të Bashkuara për një muaj, në rast të një emergjence kombëtare. Shumë thonë se ky moment urgjent është tani dhe njëri prej tyre është Presidenti George Bush që i kërkoi Departamentit të Energjisë që t’ia vërë në dispozicion rezervat strategjike të naftës, rafinerive.

“Një pjesë e madhe prodhimi të papërpunuar, është ndërprerë për shkak të stuhisë. Unë kam udhëzuar Sekretarin Samuel Bodman që të punojë me rafineritë, me njerëzit që kanë nevojë për naftë të papërpunuar që të lehtësohen mangësitë, përmes huave”.-tha Presidenti.

Çmimet për naftën e papërpunuar ranë, pas kësaj deklarate, por analistët e naftës thonë se kjo nuk do të zgjasë shumë. Kjo sepse, kompanitë e energjisë thonë se problemi nuk qëndron tek furnizimi, por tek aftësia e reduktuar e përpunimit. Agjencia për mbrojtjen e mjedisit, po heq dorë nga disa nga standardet kundër ndotjes, në mënyrë që të vihet në dispozicion gaz më pak i shtrenjtë. Drejtori i Agjencisë, Steve Johnson:

“Kjo masë është e domosdoshme për të siguruar që të ketë karburant në dispozicion në gjithë vendin, për të zgjidhur probleme të lidhura me shëndetin publik dhe nevojat për automjetet”.- tha zoti Xhonson.

Pasojat e uraganit të fundit pritet që të vazhdojnë për shumë kohë. Katrina ka ndërprerë gjithashtu prodhimin e gazit natyral, duke sjellë si rezultat mungesa të jashtëzakonshme në prodhim. Analistët e çmimeve të naftës thonë se nëse rafineritë nuk rifillojnë prodhimin gjatë javëve të ardhshme, mund ta bëjë më të kushtueshëm gazin për ngrohje këtë dimër.

XS
SM
MD
LG