Lidhje

Shqipëri: KQZ shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve


Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, firmosi sot dekretin për thirrjen e parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 3 korrikut. Sipas dekretit, parlamenti i ri do të mblidhet të premten pasdite. Zoti Moisiu e mori këtë vendim pak orë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Komisioni Qendror shpalli sot rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut për parlament, të cilat, sipas tabelave të publikuara i ka Partia Demokratike dhe aleatët e saj të djathtë e të qendrës. Rezultatet për maxhoritar dhe proporcional u kthyen në vendim gjatë një mbledhje formale të komisionit që zgjati pak minuta, ndërsa kryetari i tij, Ilirian Celibashi i deklaroi ato për shtypin në formën e listave emërore të plota.

Kandidatët e Partisë Demokratike kanë fituar drejtpërdrejt në 56 zona zgjedhore, ndërsa ata të Partisë Socialiste kanë fituar në 42 zona, një deputet ka fituar në emër të Lëvizja Socialiste për Integrim dhe një tjetër si i pavarur. KQZ publikoi edhe emrat e 40 deutetëve nga listat shumë-emërore të proporcionalit të partive të tjera.

Kryetari i KQZ, Celibashi, tha se “zgjedhjet ishin të lira dhe përgjithësisht të drejta”, duke theksuar se “nga subjektet politike shqiptare KQZ nuk i kishte ardhur e njëjta mbështetje që mori nga faktori ndërkombëtar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”. Vendimi i shumëpritur i KQZ i hapi rrugën formalisht edhe Presidentit Moisiu që të mbledhë parlamentin e ri, për të mbyllur më në fund procesin zgjedhor që filloi si sot dy muaj më parë.

Kryeministri Fatos Nano jep dorëheqjen nga posti i Kryetarit të PS

Në një tjetër zhvillim, kryeministri Fatos Nano dha sot dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Partisë Socialiste si pasojë e humbjes në zgjedhjet e 3 korrikut, pavarësisht se ai i konsideroi këto zgjedhje si të papranueshme politikisht dhe autoritetet e dala prej tyre me një legjitimitet të cunguar, siç është shprehur ai. Zoti Nano nuk bëri komente të mëtejshme rreth pozicionit të tij të ardhshëm në partinë socialiste, në se do të kandidojë, apo jo për të rimarë postin.

XS
SM
MD
LG