Lidhje

Dy ish-presidentët angazhohen në përpjekjet për grumbullim fondesh


Presidenti Bush i ka kërkuar të atit, ish-presidenti George Herbert Bush, dhe ish presidentit Bill Klinton të japin ndihmesën e tyre për viktimat e uraganit Katrina. Pas angazhimit të ish- presidentëve Bush dhe Klinton në fushatën bamirëse që grumbulloi mbi 1 miliard dollarë nga burime private për viktimat e cunamit të vitit të kaluar në Azi, presidenti Bush u kërkoi atyre që të organizojnë një fushatë të ngjashme për grumbullim fondesh për të ndihmuar viktimat e uraganit.

Presidenti Bush doli para kamerave i shoqëruar nga dy ish-presidentët dhe bëri thirje për durim, duke thënë se dërgesat me ndihma janë nisur. "Do të duhen fonde të shumta dhe qeveria federale do të bëjë ç’është e mundur. Por edhe sektorit privat i takon të luajë rolin e tij. Prandaj u kam kërkuar presidentëve Bush dhe Klinton të kryesojnë një përpjekje mbarëkombëtare për grumbullim fondesh në ndihmë të viktimave të uraganit Katrina. Këta presidentë do t’u kërkojnë amerikanëve të hapin zemrat dhe kuletat dhe të ndihmojnë ata që janë në nevojë. Ata do të kërkojnë ndihmë nga korporata të mëdha dhe biznese të vogla, si dhe nga qytetarët amerikanë në mbarë vendin," tha presidenti.

Presidenti tha dje se ende ka mijëra viktima të uraganit që duhet të gjenden dhe shpëtohen dhe e pranoi se gjendja është shumë acaruese për ata që kanë mungesa uji, ushqimi dhe janë pa strehë. "Kemi të bëjmë me një prej katastrofave më të rënda natyrore në historinë e vendit tonë dhe qeverisë federale i takon të luajë një rol i rëndësishëm. Përparësia kryesore është të shpëtojmë viktimat, për këtë Agjencia Federale për Menazhimin e Emergjencave ka dërguar mbi 80 ekipe për kërkimin dhe shpëtimin e viktimave," tha presidenti.

Zoti Bush u bëri thirje amerikanëve të tregohen të kujdesshëm me konsumimin e energjisë, por e cilësoi uraganin si një ndërprerje e përkohshme e furnizimeve me karburant. "Aktualisht tubacioni Kolonial Pipe, arterja kryesore që furnizon pjesën lindore të Gjirit të Meksikës ka rifilluar punën vetëm me 50 për qind të kapacitetit. Parashikojmë që kapaciteti do të rritet së shpejti dhe se tubacione të tjera do të vihen në funksionim. Megjithatë për momentin do të ketë mungesa karburanti," tha zoti Bush.

Presidenti ka udhëzuar personelin e tij të llogarisin dëmet ekonomike të stuhisë, në përgatitje për t’i paraqitur Kongresit një kërkesë për fonde emergjente. Dhjetëra mijëra vetë u evakuuan ditët e fundit nga stadiumi i futbollit amerikan Superdome në New Orleans. Ndërkohë 10 mijë trupa të tjerë të gardës kombëtare nga mbarë vendi po mbërrijnë në Gjirin e Meksikës për të ndihmuar në ruajtjen e rendit, në përpjekjet e shpëtimit dhe operacionet e ndihmave. Ky kontigjent i ri e çon në 28 mijë numrin e trupave të angazhuar në operacionin pas uraganit Katrina, gjë që pritet të shënojë një rekord të ri të përgjigjes së ushtrisë ndaj një katastrofe natyrore.

XS
SM
MD
LG