Lidhje

Ruçi: Kryetari i PS-së edhe këtë radhë mund të zgjidhet nga Kongresi 


Vetëm pak ditë pasi kaloi zyrtarisht në opozitë, Partia Socialiste e Shqipërisë, pranoi përgjegjësitë e veta politike dhe organizative për humbjen në zgjedhjet e 3 korrikut. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Gramoz Ruçi, i cili pas dorëheqjes së kryetarit Fatos Nano, drejton praktikisht partinë, thotë se asgjë nuk e pengon zotit Nano të rikandidojë përsëri dhe askush nuk mund të presë që ai të largohet nga skena politike. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zoti Ruçi tha se mundësia më e madhe është që kryetari i PS-së edhe këtë radhë të zgjidhet nga Kongresi.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruçi, në Shqipëri ka vite që flitet për nevojën e një opozite konstruktive, që kur ju ishit në pushtet. Çfarë do të bëni juve si opozitë që të luani pikërisht këtë rol?

Gramoz Ruçi: Sigurisht tashmë është evidente që Partia Socialiste është në opozitë dhe neve qysh në momentin e parë të deklarimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga KQZ-ja, kemi bërë publik qëndrimin tonë. Kështu ne kemi deklaruar se do të mbështesim çdo veprim dhe do të marrim nisma ligjvënëse për të mbështetur qeverisjen e ardhshme për çështje me interes kombëtar, si ato që kanë të bëjnë me procesin e integrimit euro-atlantik, për luftën kundër korrupsionit, terrorizmit, trafikimit dhe krimit të organizuar. Aktualisht ne po punojmë që të realizojmë një pakt mirëkuptimi me forcat e tjera politike që rezultojnë në minorancë dhe që kanë opozicion me qeverisjen e Partisë Demokratike dhe aleatëve të vet. Disa nga drejtimet kryesore tonat si opozitë do të jetë: transparenca e manipulimit të zgjedhjeve të 3 korrikut do të jetë kryefjala e opozitës së Partisë Socialiste në periudhën në vazhdim. Së dyti do të jetë sigurimi i vazhdimësisë së reformave, sipas standardeve në funksion të objektivave të integrimit të vendit tonë në organizmat euro-atlantike. Së treti do të jetë mbrojtja e institucioneve të shtetit dhe lirive dhe të drejtave të njeriut nga çdo veprim anti-kushtetues dhe anti-ligjor nga maxhoranca e re. Së katërti ne do të monitorojmë në mënyrë të vazhdueshme të gjithë treguesit ekonomikë dhe financiarë dhe do të luftojmë kundër çdo veprimi të paligjshëm për të forcuar luftën kundër kurrupsionit dhe veprimeve të tjera abuzive.

Zëri i Amerikës: Deri tani për humbjen e zgjedhjeve është shprehur vetëm zoti Nano, i cili gjithsesi i gjente këto shkaqe kryesisht jashtë përgjegjësisë së Partisë Socialiste në përgjithësi dhe të tij në veçanti si kryetar i kësaj force dhe i gjithë fushatës. Cilat ishin gabimet e vetë PS-së që kontribuan në humbje?

Gramoz Ruçi: Nuk është vetëm kryetari i Partisë Socialiste që është shprehur për zgjedhjet, por edhe kryesia e Partisë Socialiste e cila ka arritur në përfundimet e veta, ashtu sikurse këtë qëndrim e ka miratuar edhe grupi ynë parlamentar. Nëse lançohem më shumë se pse erdhi ky rezultat dhe është e vërtetë gjithçka që ka thënë zoti Nano, por që përfshihen edhe në qëndrimin institucional të kryesisë së PS-së, Partia Socialiste do të bëjë analizat e veta për të nxjerrë përgjegjësitë e veta, në gjithçka që nuk funksionoi si në planin politik, ashtu edhe në planin organizativ, si për forcën tonë politike, ashtu edhe për aleatët tanë.

Unë mund të nënvizoj që në fillim që do të thosha, gjithë këto parregullsi të ndodhura dhe me këto devijime që prekën rëndshëm standardin e zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, sigurisht që Partia Socialiste ka përgjegjësitë e veta politike dhe organizative që do të jetë në gjendje që në mënyrë të vazhdueshme t’i nxjerrë në institucionet e saj përkatëse.

Zëri i Amerikës: Fakti që zoti Nano nuk pranoi përgjegjësi për vete a e lë shtegun hapur që ai të rikthehet dhe të kërkojë përsëri kreun e partisë?

Gramoz Ruçi: Sigurisht zoti Nano mbajti një qëndrim politik, si çdo politikan tjetër bashkëkohor dha një vlerësim dhe ndërmori veprimin për t’u larguar nga drejtimi i Partisë Socialiste. Rëndom kjo pyetje është përditë në Shqipëri që ka mundësi, apo s’ka mundësi që zoti Nano të kandidojë. Neve nuk na shqetëson kjo, pasi edhe kushtetuta e Partisë Socialiste, edhe Kushtetuta e një shteti demokratik siç është Shqipëria nuk i heq të drejtën e zgjedhjes, apo të zgjedhurit të çdo qytetari, apo çdo anëtari të partisë. Pra kjo ngelet përsëri në dorë të zotit Nano. Ai nuk mund të deklaronte dhe askush nuk mund të priste që zoti Nano të deklaronte që unë sot jap dorëheqje nga jeta politike e këtij vendi. Kjo do të ishte e çuditshme dhe jo e pritshme nga gjithë sfera politike dhe qytetare shqiptare. Kështuqë neve zotin Nano e konsiderojmë një kontribues me shumë vlera si themelues i partisë dhe drejtues i partisë dhe drejtues i fitoreve të shumë betejave elektorale. Nga viti 1991 deri më sot, bilanci i fitoreve të Partisë Socialiste nën drejtimin e Fatos Nanos flet pozitivisht për Partinë Socialiste dhe personalisht për zotin Nano. Kështuqë unë nuk kam pse ta paragjykoj atë. Ai është një anëtar i udhëheqjes së lartë të partisë, është kontribuesi numër 1 në fitoret e Partisë Socialiste dhe sigurisht që kontributi, këshillat e tij për ecurinë e Partisë Socialiste dhe në këto ditë të vështira, në ditët e para të fillimit të saj opozitar, është i mirëpritur nga të gjitha strukturat dhe anëtarët e simpatizantët e Partisë Socialiste.

Zëri i Amerikës: A do të bëhet zgjedhja e kryetarit të ri me parimin një anëtar një votë, sipas platformës së re, apo me Kongres?

Gramoz Ruçi: Sigurisht ky është një problem për të diskutuar, ka një kontradiksion, i cili konsiston në atë që parimi “një anëtar një votë” dhe njohja, ose institucionalizimi i mendimit ndryshe në jetën e Partisë Socialiste e cila është miratuar në Kongresin elektoral të majtë 2005, do të bëhet pjesë e statutit të Partisë Socialiste, por të dyja këto, është pranuar nga Kongresi i Partisë Socialiste që do të ishte në përfundim të mandateve të strukturave drejtuese të partisë. Pra këtu kemi një ndërprerje të këtij mandati. Sigurisht që strukturat e Partisë Socialiste do të mblidhen, do ta shqyrtojnë këtë problem se kur do të realizohet. Një gjë është e sigurt që kthim mbrapa në këtë drejtim nuk ka, por duke e patur parasysh që ne jemi në një moment që është ndërprerë një mandat në mes dhe me këtë mandat është i lidhur mandati i delegatëve të Kongresit, i anëtarëve të KPD-së dhe mandati i kryesisë dhe drejtuesve të të tjerë të Partisë Socialiste, sigurisht që probabiliteti më i madh është që problemet t’i zgjidhë Kongresi i partisë, edhe atë të kryetarit dhe ky kongres të marrë nismat statutore për të bërë të gjitha ndryshimet dhe plotësimet e domosdoshme, për ta aplikuar shpejt institucionalizimin e mendimit ndryshe dhe zbatimin e parimit “një anëtar një votë”.

XS
SM
MD
LG