Lidhje

Presidenti Bush dërgon trupa shtesë në zonat e goditura nga Katrina


Presidenti Bush vazhdon të dërgojë trupa të tjerë për të ndihmuar në vendosjen e rendit në zonat e goditura nga uragani Katrina. Presidenti Bush ka miratuar më shumë se 10 miliard dollarë ndihmë për shtetet jugore të Alabamës, Misisipi dhe Luiziana.Presidenti Bush tha se më shumë se 7 mijë trupa nga njësitë elitë të forcave ajrore dhe marinës do të arrijnë në rajon gjatë pak ditëve të ardhshme.

“Përparësitë tona janë të qarta. Ne do ta përfundojmë evakuimin sa më shpejt dhe në mënyrë sa më të sigurt që të jetë e mundur. Ne nuk do t’i lejojmë njerëzit më të dobët të bien pre e kriminelëve. Dhe nuk do të lejojmë burokracinë të pengojë shpëtimin e jetëve të njerëzve.”

Presidenti është kritikuar nga republikanët dhe demokratët për shkak të ritmit të ngadaltë të përgjigjes së ndihmës federale ndaj pasojave të stuhisë vdekjeprurëse të para gjashtë ditëve.

Presidenti Bush tha se situata po përmirësohet çdo orë, por përmasat e detyrës kanë kufizuar burimet. Ai tha se është e papranueshme që shumë njerëz nuk po marrin ndihmën e duhur, veçanërisht në qytetin e goditur më rëndë të New Orleans. Aty ku shpërndarja e ndihmave nuk po funksionon, presidenti premtoi se do t’i rregullonte gjërat.

“Unë e di që ata që janë goditur nga Katrina po vuajnë. Shumë janë të zemëruar dhe të dëshpëruar për ndihmë. Detyra që kemi përpara është shumë e madhe, por ashtu është edhe zemërgjerësia e Amerikës. Në Amerikë ne nuk i braktisim bashkëatdhetarët tanë kur ata kanë nevojë, dhe qeveria federale do të bëjë punën e saj.”

Presidenti bëri një turne dje në zonat e dëmtuara nga stuhia në Alabama, Misisipi dhe Luiziana duke u dhënë shpresë njerëzve që kanë humbur shtëpiat.

Pas kthimit në Washington presidenti Bush nënshkroi një paketë ndihmash prej 10 pikë 5 miliard dollarësh për zonat e dëmtuara.

“Ne kemi përgjegjësi ndaj vëllezërve dhe motrave tona në bregdetin e Gjirit të Meksikës, dhe ne nuk do të pushojmë derisa kjo punë të kryhet,” tha presidenti Bush.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti tha se puna që kemi përpara është e vështirë, megjithatë ai i siguroi amerikanët se vendi ka karakterin dhe burimet e nevojshme për t’i bërë ballë fatkeqsive dhe për të rindërtuar New Orleans.

Ndërsa në fjalimin e demokratëve në radio, kongresmeni nga Luiziana Charlie Melancon tha se vdekjet dhe vuajtjet e mëdha nga uragani Katrina tregojnë se projektet e rindërtimit bregdetar nuk janë vetëm çështje tregëtie por edhe sigurie. Ai tha se po drejton një përpjekje dypartiake për të dhënë më shumë para nga buxheti federal për mbrojtje nga uraganët dhe përforcimin e digave.

XS
SM
MD
LG