Lidhje

Pritet që numri i viktimave nga uragani të arrijë në disa mijëra


Sekretari i Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore Michael Leavitt tha se numri i të vdekurve nga uragani Katrina ka të ngjarë të arrijë në disa mijëra. Zoti Leavitt, i cili e bëri këtë parashikim në një intervistë për rrjetin televiziv CNN, është zyrtari i parë i administratës së presidentit Bush i cili pohon se numri i viktimave nga uragani mund të jetë aq i lartë.

Në Nju Orleans ekipet e shpëtimit po punojnë për evakuimin e personave të mbetur gjallë pas stuhisë, para se të fillojnë përpjekjet për mbledhjen e trupave të viktimave në qytet. Zyrtarët thonë se 42 mijë vetë u evakuuan dje, përfshirë edhe të gjithë ata që ishin strehuar në stadiumin e futbollit dhe në qendrën e konventave të qytetit. Por mijëra vetë ende janë të bllokuar në ndërtesa të rrethuara nga uji, gjashtë ditë pas goditjes së Uraganit.

Ndërkaq, kufomat e viktimave që gjenden në rrugët e qytetit kanë ngjallur shqetësimet për përhapjen e sëmundjeve. Dje, presidenti Bush pohoi se shumë prej personave të bllokuar nga uragani nuk po merrnin ndihmën e nevojshme, një situatë që ai e cilësoi si të papranueshme. Presidenti ka dërguar zyrtarë të lartë, përfshirë edhe Sekretarin amerikan të Mbrojtjes Donald Ramsfeld në Nju Orleans për të mbikqyrur drejtpërdrejtë përpjekjet e ndihmave. Presidenti do të shkojë përsëri nesër në Nju Orleans për një vizitë të dytë në këtë qytet brenda 4 ditësh.

XS
SM
MD
LG