Lidhje

Shqipëri: Qeveria e re jep 300 mijë USD për viktimat e uraganit Katrina


Qeveria e re e Shqipërisë ka njoftuar se do të dhurojë një fond prej 300 mijë USD si ndihmë për viktimat e uraganit Katrina në Nju Orleans të SHBA. Lajmi ka zënë vend në faqet e para të shtypit vendas, së bashku me komentet e kryeministrit të dekretuar Sali Berisha, se “Shqipëria po u bashkohet kështu dhjetëra vendeve të tjera që u solidarizuan dhe ju gjendën pranë SHBA në këto ditë dhimbjeje, teksa humbi mijëra qytetarë të vet nga kjo fatkeqësi natyrore”.

Doktor Maksim Cikuli, i propozuar për ministër shëndetësie, thotë se Tirana gjithashtu ka ofruar edhe organizimin e një ekipi mjekësh dhe infermierësh për të shërbyer pranë viktimave në Nju Orleans. “Ne i gjendemi përkrah një populli të madh, një kombi mik që na ka ndihmuar në çastet tona më të vështira dhe do të vazhdojë të na ndihmojë. Është vërtet simbolike, por sidoqoftë, ne shprehim gadishmërinë tonë, ashtu siç e kanë shprehur edhe mjaft shtete të tjera, për të ndihmuar në zonat e katastrofës” - tha zoti Cikuli. Ai i bëri këto komente pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partsë Demokratike ku u miratuan ministrat e kabinetit Berisha, që pritet të paraqiten nesër tek Presidenti Alfred Moisiu.

Kryeministri i dekretuar Berisha deklaroi në forumin drejtues të Partisë Demokratike se asnjë nga ministrat e rinj nuk ka konflikte interesi me detyrën e vet. Sipas tij, qeveria e re do t’u shërbejë qytetarëve, duke reduktuar në minimum shpenzimet administrative. “Ju garantoj se kjo do të jetë një qeveri e premtimeve të mbajtura, e fjalës së mbajtur. Qeveria do të ketë një vendosmëri të plotë, totale e absolute, për të proceduar çdo ditë me reformat, me rivendosjen e ligjit dhe rikthimin e shtetit ligjor në Shqipëri” - tha zoti Berisha.

Qeveria e re pritet të fillojë shpejt nga puna pas votimit në Parlament, për të sqaruar së afërmi edhe spekullimet e shtypit mbi shpenzimet e bujshme administrative të zyrtarëve paraardhës. Ndërsa ish-kryeministri Fatos Nano ka lënë prej disa ditësh mbi tavolinën e punës, pranë karriges bosh, edhe një dosje voluminoze për dorëzimin e detyrës.

XS
SM
MD
LG