Lidhje

Berisha dërgon në presidencë emrat e kabinetit të ri qeveritar


Në Shqipëri kryetari i Partisë Demokratike dhe drejtuesi i qeverisë së ardhshme Sali Berisha, dërgoi sot në presidencë listën e ministrave të kabinetit të tij.

Zoti Berisha e bëri publike përbërjen e qeverisë së tij dje në forumet drejtuese dhe tani është në pritje të dekretimit nga kreu i shtetit në mënyrë që të kërkoj votbesimin në parlament.

Lista e anëtarëve të qeverisë Berisha u dorëzua në zyrat e Kreut të Shtetit Alfred Moisiu pak pas mesditës së sotme.

Presidenti ka të paktën dhjetë ditë kohë për të bërë dekretimin e saj, por duket se kreu i shtetit nuk do të shfrytëzojë gjithë këtë hapësirë kohore. Ai pritet të firmosë shpejt, për të mos vonuar më tej marrjen e pushtetit nga fituesit e zgjedhjeve të 3 korrikut.

Formalisht përbërja e kabinetit të zotit Berisha, i cili u emërua si kryeministër në fundjavë, u prezantua për herë të parë publikisht ne frumet drejtuese të partisë demokratike, gjatë ditës së djeshme.

Lista, në krahasim me atë të paraqitur për ditë me radhë në shtypin e këtushëm kishte vetëm dy elementë të rinj, përfshirjen e zotit Jemin Gjana në qeveri si Ministër i Bujqësisë dhe rrokadën mes zotit Aldo Bumçi që përfundimisht mori ministrinë e Drejtësisë dhe Troshanin që kaloi të ministria e Integrimit.

Një tjetër ndryshim lista ka pësuar edhe në momentet e fundit, por këtë herë jo mes emrave të partisë demokratike, por te lista e aleatëve. Kështu Thoma Miço i caktuar nga Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, është zëvendësuar pak përpara dërgimit të listave në presidenca nga Kosta Barka. Zoti Berisha është tashmë në pritje të dekreteve nga presidenti, për të patur mundësi që të kërkojë menjëherë më pas votbesimin nga parlamenti, ku ai do të paraqesë edhe programin.

Ky moment është hallka që i paraprin betimit të presidenti dhe marrjes së detyrës nga qeveria e re. Ndërsa e djathta bëhet gati të marrë në dorë drejtimin e shtetit, e majta vazhdon të jetë e mbërthyer në debatet se kush është përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve, nëse dorëheqja e kryetarit Fatos Nano duhet të pasohet apo jo nga dorëheqje të anëtarëve të kryesisë, apo dhe mbi mënyrën se si do të zgjidhet kryetari i ri.

Në fundjavë pritet të mblidhet Komiteti i Përgjithshëm Drejtues, ndërsa sot u vendos për emrin që do të propozohet si nënkryetar i parlamentit. Ai do të jetë Ylli Bufi, një nga figurat e njohura të partisë socialiste i cili do të ketë si homolog të djathtë zotin Fatos Beja të partisë demokratike

XS
SM
MD
LG