Lidhje

Kosovë: Rugova publikon lajmin se është i sëmurë nga kanceri i mushkërive


Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova tha sot në Prishtinë se vuan nga kanceri i mushkërive, duke shprehur bindjen se do të fitojë betejën e tij me sëmundjen.

Në paraqitjen e parë publike pas kthimit nga qendra mjekësore ushtarake amerikane në Landstuhl të Gjermanisë, ai kërkoi mbështetje në përpjekjet për sigurimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Në një fjalim drejtuar qytetarëve të Kosovës, ai shpalosi rezultatet e analizave të deriatshme mjekësore… “Mjekët kanë gjetur se vuaj nga kanceri i lokalizuar në mushkëri, prandaj më kanë caktuar një terapi intensive shëruese. Gjithashtu mjekët kanë konstatuar se tash gjendja ime shëndetësore është duke u përmirësuar dhe janë optimistë për shërimin tim të shpejtë”, tha presidenti Rugova.

Ai falënderoi Qeverinë amerikane, për përkujdesjen ndaj gjendjes së tij shëndetësore si dhe ekipin mjekësor amerikan dhe kosovar që po vazhdon të kujdeset për të “Qytetarë të dashur, Jam i bindur se me ndihmën e Zotit do të kapërcej edhe këtë betejë dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku më fuqishëm për njohjen e pavarësisë së vendit tonë, Kosovës, sa më parë nga miqtë tanë amerikanë e evropianë. Pres përkrahjen Tuaj, si gjithmonë. Zoti Ju bekoftë! Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës! Zoti e bekoftë Kosovën!”, theksoi ai.

Presidenti Rugova udhëtoi më 27 gusht për në qendrën mjekësore ushtarake amerikane në Landshtul të Gjermanisë pas një përkeqësimi të gjendjes së tij shëndetësore. Ai u kthye të shtunën në Prishtinë për të vazhduar përkujdesjen mjekësore në shtëpinë e tij, prej nga do të kryej edhe funksionin e tij të presidentit të Kosovës. Përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe vendas kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen shëndetësore të presidentit Rugova. Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Soren Jessen-Petersen, shpreson për shërimin e shpejtë të presidentit, duke shprehur bindjen se sic thuhet, presidenti do të tregojë shpirtin me të cilin është përballur me shumë situata të vështira në të kaluarën. Duke e siguruar presidentin për mbështetjen e tij të plotë zoti Jessen-Petersen u ka bërë thyirrje qytetarëve të Kosovës që të qëndrojnë të bashkuar dhe dinjitoz në solidarizimin e tyre me presidentin dhe të vazhdojnë përpjekjet për të përmbushur synimet e të gjithëve për ndërtimin e një shoqërie paqësore të qëndrueshme, demokratike e shumetnike në Kosovë.

Shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg në një deklaratë për opinion ka shprehur pikëllimin për “sëmundjen shumë serioze të presidentit Rugova, dhe dëshiroj të theksoj këtu kurajon që e shfaqi kur ai e paraqiti këtë në mënyrë publike. Jam krenar që SHBA-të ishin në gjendje që të ndihmojnë presidentin – i cili ka qenë mik i Shteteve të Bashkuara për shume vite - në betejën e tij kundër kësaj sëmundjeje. Kjo betejë nuk do të jetë e lehtë, dhe në emër të Qeverisë së SHBA-ve, ne ia dëshirojmë të mirën”, thuhet në deklaratën e ambasadorit Golkdberg. Shpresat e tyre për shërimin sa më të shpejtë të presidentit i kanë shprehur edhe përfaqësuesit e institucioneve e partive politike të Kosovës.

XS
SM
MD
LG